Ka disa filma për makinat dhe njëri prej tyre, i titulluar “Lamborghini: The Man Behind the Legend” pritet të publikohet së shpejti. Filmi, traileri i të cilit sapo është publikuar ka të bëjë me jetën e Ferruccio Lamborghini dhe konkurrencën e tij të fortë me Enzo Ferrarin.
Kompania Lamborghini u themelua në vitin 1963 nga Ferruccio Lamborghini. Duke synuar të konkurrojë me Ferrarin, ai ndoqi ëndrrën e tij duke krijuar supermakinat e tij dhe duke i bërë ato simbole të pasurisë. I lindur në një familje vreshtarësh, Lamborghini ishte i interesuar për inxhinierinë.
Pasi shërbeu në Forcat Ajrore gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai përfitoi nga nevoja e pasluftës për furnizime fermash dhe filloi montimin e motorëve ushtarakë në traktorë. Në fillim të viteve 1960, Lamborghini takoi Ferrarin dhe filloi t’i jepte udhëzime teknike për të përmirësuar makinën e tij.
“Makina është në rregull, problemi është shoferi. Ju mund të jeni të mirë në drejtimin e një traktori, por nuk dini si të drejtoni një Ferrari”, u përgjigj Enzo Ferrari me arrogancë. I zemëruar nga fyerja, Lamborghini vendosi të luftojë duke ndërtuar makina sportive më të mira se Ferrari.
Kështu filloi udhëtimi i një legjende, jeta e së cilës përshkruhet në filmin e ardhshëm. /abcnews.al