Lajçak: Keqardhje për shtyrjen e negociatave

schedule17:00 - 19 Qershor, 2019

schedule 17:00 - 19 Qershor, 2019

Shefi i diplomacisë sllovake dhe kryesuesi me OSBE-në, Mirosllav Lajçak, pranoi se ka shpresuar se sot do sjellë lajme më të mira në Shkup. Por, anulimin e datës së negociatave e arsyetoi me çështje teknike.

“Mbrëmë asnjëra nga 28 vendet anëtare nuk tha jo, nuk duhet ta ftojmë Maqedoninë e Veriut. Shumica e vendeve thanë së do ta bëjnë këtë, por nuk arritën për shkak të procedurave të brendshme në Gjermani. Por në qoftë se nuk ndodh diçka negative dhe e papritur deri në tetor, shpresoj se atëherë do të ketë ftesë”.

Nikoqiri i tij, ministri Nikolla Dimitrov, nuk e fshehu revoltën e tij  nga sjellja e Brukselit ndaj Maqedonisë së Veriut, por edhe ndaj tërë rajonit.

“Në qoftë se më pyesni për përshtypjet nga përfundimet e mbrëmshme, nuk mund të jemi të kënaqur deri sa nuk vjen vendimi në Tetor, mendoj suksesi jonë do jetë sinjal i rëndësishëm për tërë rajonin se dyert e Evropës janë të hapura dhe vizioni evropian për Ballkanin Perëndimor ekziston. Nëse nuk ndodh diçka e tillë, atëherë kjo do të jetë fundi i asaj perspektive”.

Dimitrov madje dyshon në politikën e jashtme të BE-së, duke theksuar se nëse BE-ja nuk mund të dallojë situatat në Ballkan, për të cilën ndërton strategji me vite, atëherë është vështirë të besojë se do të udhëheqë politikë të besueshme ndaj pjesëve tjera të botës. Por, ndryshe nga ai, Kryeministri Zoran Zaev flet me më shumë optimizëm për përgjigjen e Brukselit.

“Vendimi është garancë absolute, e cila është e nevojshme për mua, besoj edhe për të gjithë qytetarët. Nëse për shkak të, siç theksohet në vendim, afatet e nevojshme kohore, për shkak të publikimit të vonuar të raportit, Tetori do të jetë Tetor… e morëm garanci formale juridike me shkrim”.

Sipas opozitares VMRO-DPMNE gjërat duken më ndryshe. Përkatësisht në Tetor, qeveria e cila pa nevojë i ka rritur pritshmëritë për në muajt e kaluar dhe nuk ka arritur rezultate në reforma, do të marrë vetëm detyra të reja që duhet t’i plotësojë në periudhën që vjen, ndërsa data për negociata edhe më tutje do të prolongohet.

“Çfarë do të thotë, në skenarin më të mirë është pikëpyetje nëse deri në Dhjetor të vitit 2020 në mund të presim fillim të negociatave me BE-në”.

Ligji i bllokuar për të ardhmen e PSP-së, draftin e të cilit e hedh poshtë kategorikisht opozitarja VMRO-DPMNE, sipas Kryeministrit Zaev nuk është kusht i caktuar nga BE-ja, por është sugjerim si pjesë e reformave në vend. Ai  theksoi se është i gatshëm për vazhdimin e negociatave gjatë periudhës së verës./ABC News Albania 24/7