Prokuroria e Tiranës ka përfunduar edhe procedurën për marrje në pyetje të mjekëve të spitalit të Traumës. Mjekët janë pyetur për gati 4 orë nga akuza. Në deklarimet e tyre 6 mjekët e turnit të natës kur ndërroi Lear Kurti kanë deklaruar që ai ka qenë pa shenja jete. Ketë fakt ata e kanë shënuar edhe në kartelën mjekësore.
Gjithashtu mjekët janë shprehur se ata kanë bërë të pamundurën për ta rikthyer në jetë 32-vjeccarin por pa ia arritur. Ndërkohë këtë të hënë grupi hetimor po merret për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po bën këqyrjen e kamerave te sigurisë së spitalit.
Kujtojmë se Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit në zonën e “Don Boskos”. Ai nuk iu bind urdhrit të forcave të policisë për ndalim dhe më pas u shoqërua në komisariat me furgon. Pak orë më vonë ai ndërroi jetë.
Mjekët e Traumës merren në pyetje, çfarë zbuluan për vdekjen e Lear Kurtit
Më vonë u bë e ditur se në stomakun e të riut u gjet një qese e vogël me lëndë narkotike.
Nga rezultatet paraprake të autopsisë rezultoi se substanca e gjetur në stomakun e të riut ishte lëndë narkotike e llojit kokainë.
I riu kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj. Qeset janë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza. /abcnews.al/