Partia e Lirisë do të mbajë të shtunën Konventën e parë Kombëtare Zgjedhore. Në këtë Konventë, ndër të tjera pritet që të finalizohen ndryshimet në Statut dhe në program.
E ftuar në “Radari Informativ” në ABC, deputetja e kësaj partie Erisa Xhixho u shpreh se gjatë Konventës do të zgjidhet edhe kryetari. I vetmi që ka shpallur kandidaturën në këtë rast është Ilir Meta, i cili pritet ta marrë votëbesimin nesër.
E pyetur nëse ka pasur ndryshime në anëtarësi pas ndryshimit të emrit të partisë, Xhixho tha se ka pasur vetëm prurje, kryesisht të rinj. Deputetja e Partisë së Lirisë tregoi po ashtu se në fokus të Konventës do të jenë zgjedhjet lokale e pranverës së vitit që vjen.
“Mundësia i është dhënë çdo kandidati. Mesazhet do të jenë shumë të forta drejt pluralizmit politik. Fokusi do të jetë te zgjedhjet lokale, vendosjen e pluralizmit te këshillat bashkiakë. Përfaqësimi sa më dinjitoz në to. Do të jetë një proces konsultimi i gjerë për të zgjedhur kandidatët më të mirë…Foltorja e këshillave bashkiakë do të kthehen në foltore të qytetarëve.”
Por çfarë do të ndodhë nëse PL nuk do të jetë dakord me kandidatura të caktuara të dala nga primaret, apo nëse në ndonjë moment mund të vërë në dyshim “pastërtinë” e procesit?
Deputetja e Partisë së Lirisë thotë se për sa kohë që partia që ajo përfaqëson i ka njohur primaret si proces demokratik, atëherë edhe rezultati i tyre do të njihet si i tillë.
“Për sa kohë kemi pranuar një proces do të pranojmë dhe përfundimin e atij procesi. Ne si parti jemi të fokusuar shumë të këshillat bashkiakë, te listat dhe beteja që do të bëhet në terren për këshillat,” tha ajo. /abcnews.al/