Nga Juxhin Mustafaraj
Partia Demokratike do të pres emrat për kandidatët që do të hyjnë në primare për bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan deri në 6 nëntor.
I pari që shfaqi ambicien në Tiranë për të qenë në garë për primaret dhe i bindur se do të jetë ai kandidati zyrtar i opozitës ishte deputeti Belind Këllliçi.
Pa kandidatë zyrtarë por me emra potencialë për të garuar në procesin e primareve janë edhe Bashkitë Elbasan dhe Durrës.
Në qytetin e Elbasanit, dy kandidatët më potencialë për të qenë pjesë e garës për të përfaqësuar opozitën në zgjedhjet e 14 majit 2023 janë Blendi Himçi dhe Aurel Bylykbashi.
Kreu aktual i degës së PD Elbasan, Blendi Himçi por edhe ish-deputeti Bylykbashi kanë konfirmuar për ABC se janë duke e vlerësuar maksimalisht procesin e primareve dhe ditët e ardhshme do të vendosin për angazhim real.
Në Durrës emri më potencial për të qenë pjesë e garës së primareve, është ish-deputeti dhe kreu aktual i degës së Durrësit, Igli Cara.
Emri i Carës u përfol si kandidat i Partisë Demokratike edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, por në atë kohë Cara preferoi të ishte në mbështetje të kandidatit Ardian Muka.
Partia Demokratike vijon të jetë ende në proces negociatash mes deputetëve Paloka e Bardhi në funksion të daljes me një kandidat të përbashkët në të gjithë bashkitë e vendit./Abcnews.al/