Komisioni i Ligjeve nis procedurën për shkarkimin e Metës

schedule15:27 - 18 Qershor, 2019

schedule 15:27 - 18 Qershor, 2019

Presidenti i Republikës do të ftohet nga  Komisioni i Ligjeve në një seancë dëgjimore për të dhënë shpjegimet e tij mbi anulimin e 30 Qershorit, dekret për të cilin, Partia Socialiste kërkon ta shkarkojë. Ulsi Manja njoftoi sot nisjen e shqyrtimit të kërkesës së partisë së tij nga Komisioni Parlamentar.

Socialistët në Kuvend nuk po humbasin kohë për të konsumuar të gjitha hapat për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Dhe pse rruga është e gjatë, menjëherë pas depozitimit të 55 firmave, Komisioni i Ligjeve ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste.

“Dje i është njoftuar seancës plenare dhe konform rregullores është njoftuar dhe Komisioni i Ligjeve. Në zbatim të rregullores po dje si kryetar i Komisionit të Ligjeve ua kam vënë në dispozicion të gjithë kolegëve të Komisionit të Ligjeve kërkesën e arsyetuar të 55 deputetëve dhe nga ky moment, në zbatim të nenit 112 të rregullores Komisioni i Ligjeve e ka futur në procedurë shqyrtimi kërkesën e 55 kolegëve deputetë”, tha Ulsi Manja.

Nga sot, ky Komision brenda 15 ditësh duhet t’i drejtohet Kuvendit me një raport ku t’i kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të vlerësuar shkeljet e pretenduara të Presidentit të Republikës.

Gjatë këtyre ditëve, Komisioni duhet të dëgjojë Presidentin e Republikës, në rast se ky dëshiron të japë shpjegime mbi veprimet e tij. Për këtë, deputetët duhet t’i japin Metës kohën e  nevojshme për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Drejtuesit e Komisionit të Ligjeve pohojnë se do ta njoftojnë Presidentin e Republikës për nisjen e procedurës së shkarkimit dhe do ta mirëpresin në komision në rast se ai shfaq interes.

Ngelet për t’u parë sjellja e Presidentit ndaj kësaj procedure parlamentare, për të cilën vetë Meta është shprehur në media se është shantazh ndaj tij dhe se ai është zgjedhur nga një parlament tërësisht legjitim, e jo  si ky i sotmi, i cili, po sipas Metës, ka vetëm 82 mandate të ligjshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!