Lleshaj kundër bashkiakëve të djathtë, reagon Meta

schedule14:40 - 18 Qershor, 2019

schedule 14:40 - 18 Qershor, 2019

KQZ refuzon kërkesat e disa bashkive të djathta për  të liruar ambientet ku janë vendosur KZAZ-të, ndërsa Ministri i brendshëm tha se forcën mund ta ushtrojë vetëm policia, e jo kryetarët e bashkive. Presidenti Meta thotë se po mban shënim shkelësit e ligjit dhe foli për provokues artificialë më qëllime të errëta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon nga bashkitë që drejtohen nga opozita, të mos cënohen ambientet që janë vendosur në dispozicion të votimeve. Zëdhënësja e KQZ-se tha se veprimet që pengojnë zgjedhjet, përbëjnë vepër penale.

“Kërkesat e tyre janë në tejkalim të kompetencave. Veprimet që pengojnë zgjedhjet përbëjnë vepra penale dhe ne do t’ju drejtohemi institucioneve”. 

Nga këto deklarime u distancua kryetari i KQZ-së Klement Zguri, i cili tha se përfaqësojnë vetëm qëndrimet e 4 anëtarëve të tjerë të komisionit.

Teksa KZAZ-të në disa bashki po kthehen në një duel mes funksionarëve bashkiake dhe forcave të rendit, ministri i Brendshëm u shpreh se forcën nuk mund ta ushtrojë askush veç policisë.

“Nuk kanë atribute për të ushtruar forcë Kryetarët e bashkive në një vend normal. Atributet e forcës në një shtet ligjor i ka vetëm Policia e Shtetit, që ka monopolin për ta ushtruar forcën në bazë të ligjit Ka një afat 4-vjeçar për të ushtruar funksionet. Nëse ky afat mbaron është absurde, është paradoksale të mendojmë që një kryetar bashkie del dhe lufton me forcë për zgjatur arbitrarisht afatin ose mandatin e tij”.

Për këtë situatë, ka reaguar edhe Presidenti i Republikës përmes zëdhënësit të tij.

“Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Bashkitë e drejtuara nga opozita njohin dekretin e Metës për anulimin e 30 Qershorit, ndryshe nga bashkitë e drejtuara nga mazhoranca, ku KZAZ-të vijojnë punën sikur ky dekret të mos ekzistonte.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!