A na bën mirë flirti? Kjo është një pyetje që bëjmë të gjithë brenda vetes, sidomos kur jemi në një marrëdhënie me dikë tjetër. Të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” gazetari Foni Ilia, juristja Eva Huli dhe blogerja Antoneta Koçi folën për këtë temë me moderatorin Alban Musa.
Foni tha flirti i bën mirë shëndetit pasi çlirohet hormoni i oksitocinës dhe ulet niveli i stresit.”Flirti bën mirë për shëndetin për të dy personat. Brenda trupit tonë janë disa hormone që na bëjnë të ndihemi mirë. Duke u rritur oksitocina që është hormoni i kënaqësisë, ulen parametrat e stresit.“, tha ai.
A konsiderohet tradhti? Antoneta nuk e shikon si tradhti. “Çdo marrëdhënie ka ligjet dhe kushtetutën e saj. Ka njerëz që janë mendjehapur që e tolerojnë dhe e mendojnë si diçka të shëndetshme dhe të mos qëndrojë gjithçka vetëm të mbyllur aty.
Ka njerëz që duan të jetë 100 për qind i tyri dhe në mendje. Mendoj se flirti është i shëndetshëm, i shton ngjyra jetës. Flirti si ngacmimet në komunikim, mendoj se nuk i bën keq një marrëdhënieje.“, tha Antoneta. Ndërsa juristja, duke iu përgjigjur pyetjes nëse flirti është tradhti, tha:
“Mendoj se është tradhti në momentin që reagoj ndaj atij flirti. Do të më vriste ndërgjegjja nëse do të flirtoja dhe do të arrija derisa të na kryqëzoheshin shikimet. Është dakord që dua të më pëlqejnë por do ta konsideroja si tradhti nëse do të flirtoja me dikë dhe nëse do t’i dërgoja një mesazh.”
Duke u ndalur te pjesa ekonomike, Foni shtoi: “Zgjuarsia e një femre është të gjejë një burrë me para. Në çastin që do të ikni nga flirti dhe do të krijoni një familje, do një siguri për ata që do të lindi dhe duhen rritur. Prandaj, i kanë lënë aq kohë femrës sa të ngjizë vetëm një fëmijë në vit.
Kurse një burrë po të ketë 50 gra, 50 fëmijë bën. Po flas për biologji, për studime dhe jo për eksperienca personale.” /abcnews.al