“Nesër e përgjithmonë” vjen në shqip, Ermal Meta zbulon detaje nga libri i ri: Doja të tregoja për rrënjët e mia

schedule08:38 - 27 Tetor, 2022

schedule 08:38 - 27 Tetor, 2022

E njohim për sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur në Itali, por këtë herë Ermal Meta vjen si një shkrimtar. Artisti shqiptar, që jeton prej vitesh në shtetin fqinj është rikthyer në Shqipëri me librin “Nesër e përgjithmonë”. Ai dha një intervistë për gazetarin Enkel Demi, ku zbuloi më shumë detaje.

Meta rrëfeu se si arriti deri në shkrimin e librit duke treguar se ka ëndërruar gjithmonë një roman që të tregonte për rrënjët e tij. Ai shtoi se që kur ishte 20 vjeç donte të shkruante por ndihej sikur po “tradhtonte” muzikën. Momenti i duhur erdhi me pandeminë kur u fut në izolim.

“Kam dashur gjithmonë të shkruaj një roman. E kam përkëdhelur këtë ide që 20 vjeç por mundohesha shumë me muzikën dhe më dukej sikur i hiqja forcë dhe energji muzikës. Më dukej sikur nuk do të përqendrohesha aq mirë në objektivin kryesor si muzika. Por ky mendim sikur nuk fikej kurrë.

Nuk gjeja kurrë kohën që të shkruaja. Forcën e arsyes, e motivit për të cilin doja të shkruaja se di, e kam pasur gjithmonë. Shpikjen e historive e kam pasur në mendje. Erdhi pandemia në 2020, ishim në lockdown dhe muzika nuk më vinte thjesht sepse dëgjoja vetëm sirenat e ambulancave në Milano.

Më dukej se kisha një mungesa respekti të merresha me muzikë. Sikur nuk kishte vend për muzikën në atë momente por prapë nuk rrija dot pa krijuar diçka.”, tha Ermali. Ndonëse të gjithë mund të prisnin një libër për jetën personale, artisti theksoi se donte të sillte diçka për rrënjët shqiptare.

“Nuk kam kaluar më shumë se një javë pa shkruar diçka, dhe mendova se duke shkruar një libër në atë moment nuk do të heqja kohë muzikës. Nuk doja të shkruaja për jetën time. Më dukej si një gjë e pritshme dhe s’më pëlqente ideja që të tjerët mund të mendonin se çfarë ishte.

Doja të tregoja për rrënjët e mia, një histori me disa arsye se përse ndodhën gjithë ato gjëra që ndodhën në ’91.”, shtoi Meta. /abcnews.al