Argjentina nis me humbje kupën e Amerikës, Mesi pa shpresë

schedule16:36 - 16 Qershor, 2019

schedule 16:36 - 16 Qershor, 2019

Argjentina dhe Lionel Mesi morën një tjetër goditje të rëndë. Ata pësuan humbje me Kolumbinë në debutimin në Kupën e Amerikës në Brazil.

Ky mallkim duket se do ta ndjekë pas deri në fund.

Lionel Mesi fitues me Argjentinën është diçka që mund të shikohet vetëm në ëndërr, dhe superylli i futbollit botëror rrezikon ta mbyllë gjithë karrierën e tij të lavdishme pa një trofe të madh me kombëtaren.

Kjo ende nuk është vendosur, veçse këtë tregoi debutimi me humbje i argjentinasve në Kupën e Amerikës që po zhvillohet në Brazil.

Humbje tërësisht e merituar 0-2 ndaj Kolumbisë në stadiumin e qytetit Salvador, me një paraqitje kaq të dobët saqë i hoqi shpresën edhe tifozëve më ekstremistë.

Kolumbianët triumfuan me autoritet, duke dominuar pjesën e parë, në të cilën Argjentina nuk bëri asnjë gjuajtje në portë, dhe duke shënuar pas pushimit me anë të Martinezit në minutën e 71-të dhe Duvan Zapatës, katër minuta para fundit.

Gazetat argjentinase vunë kujën pasi ndoqën një ndeshje kaq të dobët.

“Ole”: Goditje e madhe! Debutim për keq! Seleksioni u tregua delikat! Nivel i ulët historik, Kolumbia fitoi 2-0 autoritet! Cila është ideja, Skaloni?

“Klarin”: Kolumbia përfitoi nga mallkimi i seleksionit! Argjentina debutoi me humbje në Kupën e Amerikës në Brazil. U mund 0-2 nga Kolumbia dhe ishte inferiore në pjesën më të madhe të ndeshjes!

Çfarë zhgënjimi për një ekip të madh, dy herë kampion i botës, e 14 herë kampion i Amerikës së Jugut, që kishte mbërritur në Brazil për të thyer më në fund mallkimin që e ndjek që nga viti 1993.

Çfarë vuajtjeje për gjeniun e futbollit botëror që fiton vetëm me Barcelonën dhe jo me kombëtaren.

Në Kupën e Amerikës dështoi në finalet e viteve 2007, 2015 e 2016, mundur nga Brazili dhe dy herë, në mënyrë të pabesueshme nga Kili.

Në Kupën e Botës iu afrua trofeut në 2014 në Brazil, por humbi finalen ndaj Gjermanisë, që mori trofeun e artë të FIFA-s.

Të vetmit tituj me fanelën e seleksionit, Mesi i fitoi në moshë të re.

Në vitin 2005, fitoi Botërorin për moshën nën 20-vjeçare, duke fituar Topin e Artë dhe Këpucën e Artë, si lojtari më i mirë dhe shënuesi më i mirë i kampionatit.

Në vitin 2008, fitoi medaljen e artë në Lojrat Olimpike në Pekin, me Argjentinën U23.

Natyrisht, argjentinasit ende kanë shpresë në Kupën e Amerikës në Brazil, pasi është luajtur vetëm ndeshja e parë në grup.

Ata do të bënë çmos të triumfojnë, por fillimi nuk duket aspak premtues./ABC News Albania 24/7