Rama: Këto zgjedhje s’janë më të mirat, por pas tyre askush nuk shpëton nga drejtësia

schedule12:52 - 16 Qershor, 2019

schedule 12:52 - 16 Qershor, 2019

Kanë mbetur 15 ditë deri në zgjedhjet vendore dhe me gjithë anulimin e tyre nga presidenti, kryeministri Rama nuk ka asnjë hezitim.

Më 30 Qershor nuk do të vendoset thjesht se kush do të drejtojë bashkitë por se cila do të jetë Shqipëria e 30 viteve të ardhshme. Para banorëve të Maliqit, Rama u dha një përgjigje edhe të gjithë atyre që u druhen trazirave më 30 qershor.

“Ata bëjnë çdo përpjekje që të fusin frikën, të fusin sekëlldinë te njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që të krijojnë idenë se këtu do të bëhet nami. Ku janë këtu kushtet për të bërë 97-n? Zero. Nuk ka asnjë arsye që të ketë asnjë gjakderdhje, por nuk ka asnjë arsye të ketë asnjë konflikt. Ka vetëm llumderdhje nga filxhani i fallxhores”.

Presidentin Ilir Meta, Rama e quan një nga organizatorët e planit për prishjen e zgjedhjeve, ndërsa kryetarin demokrat e quan kukull dhe dembel.

“Lulzimi hapni vendin se do hidhem, u hodh Ilir Meta. Fakti që u hodh Ilir Meta zbuloi gjithë këtë plan destruktiv, ideatorët dhe frymëzuesit e të cilit janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërkohë që Lulzimi është një kukull. Unë e njoh, është dembel, është llafazan, është dhe gjumash”.

Kryeministri përsëriti se shkaku pse Lulzim Basha nuk do zgjedhje, është frika nga Vettingu, por premton se reformën në drejtësi do ta çojë deri në fund.

“Kanë ikur nga parlamenti, kanë ikur nga zgjedhjet për të penguar Shqipërinë sepse Vettingun nuk e penguan dot. Vettingu ka filluar duke pastruar dita-ditës pallatin e drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë që falë lidhjeve të tyre me politikanët kanë mbajtur peng drejtësinë 30 vjet. Vettingu do të shkojë deri në fund. Kush do pengojë qoftë edhe një votues të vetëm, kush do hedhë qoftë edhe një kapsollë të vetme, kush do bëjë budallain qoftë edhe për një sekond të vetëm do të dënohet nga ligji këtu dhe do shkojë brenda sipas ligjit këtu dhe kur të dalë nga brenda atje nuk do dali dot jashtë nga këtu”.

Rama u kërkoi të gjithë banorëve të Maliqit që të votojnë për çuarjen përpara të projekteve nga kandidati socialist, ose më e pakta të distancohen nga ata që nuk e duan integrimin dhe Shqipërinë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!