Rikthehet aktiviteti i basteve sportive online. Në projektbuxhetin e vitit 2023 është parashikuar nisja e këtij aktiviteti që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.
Ky vendim vjen katër vjet pasi qeveria i shpalli të paligjshme lojërat e fatit .Së fundmi në një dëgjesë me grupet e interesit, kryeministri Edi Rama tha se aktiviteti i basteve kishte vazhduar në të zezë dhe ligjërimi do të sillte të ardhura në buxhet që do të ndihmonin ekonominë në këtë kohë krize.
Në draft buxhet parashikohet edhe efekti financiar në bazë të cilit vlerësohet të arkëtohen 2 miliardë lekë. Një tjetër risi në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është edhe vendosja e taksës së jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë elektrike që eksportojnë.
Qeveria e argumenton vendosjen e kësaj takse me faktin se prodhuesit e energjisë kanë realizuar fitime pa rritje kostosh për shkak të shtrenjtimit të energjisë që tregtohet në bursa. Në draft parashikohet që prodhuesit të tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33 %.
Ndërkohë të ardhurat e pritshme në buxhet vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë.
Për shkak të krizës së çmimeve rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet vitin e ardhshëm.
Në projektbuxhet rritja ekonomike parashikohet në 3.7% për vitin 2022 ndërsa për vitin 2023 parashikohet që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2.6%, e ndikuar nga zhvillimet dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2023, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 625.7 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2023, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 7.7 %.
Rritja ekonomike
2022 3.7%
2023 2.6%
/abcnews.al/