Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me presidentin rus Vladimir Putin dhe kishte shkëmbyer letra me të.
Sipas Reuters, 86-vjeçari Berlusconi shpesh është mburrur për miqësinë e tij me Putinin dhe shkaktoi një reagim të ashpër muajin e kaluar kur tha se Rusia ishte detyruar të pushtonte Ukrainën sepse donte që të vendoste “njerëz të mirë” në krye të qeverisë ukrainase.
“Kam qenë në kontakt me Putinin, që për ditëlindjen time, ai më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër”, tha Berlusconi.
“Unë i dërgova disa shishe Lambrusco (verë) dhe një letër gjithashtu”, tha Berlusconi, ditëlindja e të cilit ishte më 29 shtator.
Ai shtoi se është jashtëzakonisht i shqetësuar për situatën në Ukrainë, por nuk mund të japë mendimin e tij sepse do të nxiste reagime. Deklaratat erdhën ndërsa Berlusconi po negocion për postet e kabinetit në qeverinë e re të udhëhequr nga Giorgia Meloni , e cila pritet të emërohet kryeministre javën e ardhshme.
Një zëdhënës i partisë së Berlusconit mohoi se ai kishte ndonjë kontakt të mëtejshëm me Putinin, duke pretenduar se ai po u tregonte deputetëve të tij “një histori të vjetër të shumë viteve më parë”.
Forza Italia lëshoi një deklaratë, duke thënë se qëndrimi i Berlusconit dhe partisë për luftën është “në përputhje me pozicionin e Europës dhe Shteteve të Bashkuara” dhe “nuk ka vend për paqartësi dhe nuk ka pasur kurrë. ”
Marrëdhëniet midis koalicionit të krahut të djathtë të Italisë dhe Rusisë po vëzhgohen nga afër.
Edhe mediat ruse i kanë bërë jehonë deklaratave të Silvio Berlusconit, për “rilidhjen” e marrëdhënieve të tij me Vladimir Putin, për shkëmbimin e dhuratave dhe letrave lavdëruese me presidentin rus dhe për luftën në Ukrainë.
Sipas agjencisë së lajmeve Tass, Berluskoni beson se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të shkaktonte luftën e tretë botërore.
/abcnews.al