Përderisa njerëzit nëpër Evropë po porositen ta kursejnë energjinë gjatë dimrit që po vjen, për të shmangur ndërprerjet e rrymës, Lugina e Bavonës në Zvicër nuk po mërzitet fare, pasi që nuk ka qenë kurrë e lidhur në rrjetin elektrik.
E ndodhur në rajonin italishtfolës Ticino, në jugun e Zvicrës, lugina e izoluar dhe e rrethuar me shkëmbinj, përgjatë lumit Bavona, është njëra ndër më të rrëpirëtat në Alpe.
Por, në luginën e dhëmbëzuar ndodhen 12 fshatra të vogla, të përbëra nga shtëpi prej guri, ku banojnë dhjetëra persona gjatë shumicës së vitit, përpos në dimër, kur qëndrojnë pak më shumë se 10 veta.
Njëmbëdhjetë prej fshatrave nuk janë të lidhura në rrjetin elektrik, pavarësisht se zona prodhon shumë energji, falë digave që ndodhen lart, afër majave të maleve.
Ato janë ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, për t’i mundësuar rrymë rajonit gjermanishtfolës të Zvicrës, në anën veriore të Alpeve, thotë Romano Dado, ish-anëtar i këshillit lokal në Cevio, vendbanimin në fund të luginës nga i cili varen fshatrat.
Për të çuar rrymën poshtë në luginë nevojiteshin transformatorë, por “njerëzit këtu nuk kishin para për to”, tregon ai. Vetëm fshati i fundit në majë të luginës i kishte mundësitë për një luks të tillë.
Me kalimin e dekadave, popullsia e luginës u tkurr nga rreth 500 në më pak se 50 tani, sipas Dados, ndërsa banorët u mësuan të jetonin pa qenë të lidhur në rrjetin elektrik, duke u shërbyer me oxhaqe dhe duke instaluar panele diellore mbi çati që nga vitet e 1980-ta.
Llamba me vajguri dhe qirinj
Banorët po ashtu përdorin bombola gazi, qirinj dhe llamba me vajguri. Për t’i larë rrobat, “ne shkojmë në lumë, si gjithmonë”, thotë Tiziano Dado, vëllai gurgdhendës i Romanos.
Lugina e ngushtë, rreth 10 kilometra e gjatë dhe e rrethuar nga male vigane, me lartësi prej mbi 2.500 metrash, përgjatë shekujve ka pësuar ortekë, përmbytje dhe rrëshqitje dheu, që nganjëherë kanë shkaktuar edhe vdekje.
Emigrimi stinor drejt kullotave verore ka vazhduar në zonë deri në vitet e 1970-ta.
Familjet kanë shkuar në luginë me kafshët e tyre nga marsi deri në fund të dhjetorit, dhe janë kthyer për Krishtlindje, pohon Sonia Fornera, nga Orrizonti Alpini, një grup ekspertësh i historisë dhe kulturës alpine.
“Ishte jetë e vështirë, por ishte jetë e thjeshtë”, thotë Bice Tonini, 88-vjeçare, duke u ngrohur pranë oxhakut në shtëpinë e saj.
Pavarësisht moshës së saj, ajo vazhdon të jetojë atje nga pranvera deri në tetor, falë paneleve të saj diellore.
“Aq shumë energji çohet dëm” në shoqërinë moderne, pohon ajo.
Natën, nuk ka ndriçim të rrugëve që do t’ia pamundësonte asaj t’i admironte yjet – ndërsa asaj i pëlqen shfaqja e përnatshme më shumë sesa shikimi i televizorit, që rrallë gjendet në luginë.
Muze apo ëndërr?
“Ne jemi mësuar të jetojmë në një mënyrë shumë të thjeshtë, dhe nuk kemi frikë nga kursimet” në aspekt të energjisë, shprehet Ivo Dado, 81-vjeçar, i cili me krenari thotë të ketë instaluar panele diellore që më 1987.
Ish-fermeri – i cili s’ka lidhje familjare me vëllezërit Dado – është i lumtur që disa qytete po heqin dorë nga dritat tradicionale festive këtë dhjetor.
“Kjo Krishtlindje do të jetë si dikur, me më pak dritë. Do të jetë e bukur përsëri!”, thotë ai.
Megjithatë, këtë qëndrim kursyes karshi energjisë nuk e ndajnë të gjithë.
“Panelet diellore janë zgjidhje e pjesshme”, pohon Martino Giovanettina, shkrimtar dhe pronar i njërit prej restoranteve të pakta në luginë.
Ai beson se mungesa e rrymës, dhe rregullat e rrepta për rinovimin e ndërtesave të vjetra, po kontribuojnë në shpopullimin e luginës, duke e kthyer atë në “muze” në qiell të hapur të së kaluarës, në vend se të orientohet nga turizmi, siç kanë bërë luginat fqinje.
Lugina e Bavonës nuk ka kurrfarë organizimi për turistët, përveç një teleferiku nga fshati i fundit deri te digat, ndërsa parkimi i kamp-shtëpizave është i ndaluar.
Doris Femminis, fituese e Çmimit Zviceran për Letërsi më 2020, është rritur në luginë dhe është marrë me blegtori në të njëzetat e saj. Tani, ajo shkruan në librat e saj për atë periudhë në Luginën e Bavonës.
Femminis, e cila tani jeton në malet e Jurës, në Zvicrën perëndimore, kthehet çdo dy muaj “në këtë vend të mrekullueshëm të fëmijërisë”.
“Në Zvicër, neve na pëlqen që të kemi ende një pjesë të natyrës së egër”, shprehet ajo, teksa pranon se vendet e tilla nuk janë të përshtatshme për jetën moderne.
“Është vend i së shkuarës”, pohon ajo. “Askush nuk dëshiron të jetojë më atje; është vetëm ëndërr”.