Ish-kreu i Apelit në Shkodër Fuat Vjerdha ka folur për herë të parë për gazetarët pas shkarkimit nga vetingu. Ai tha se vendimi është i padrejtë dhe reforma në drejtësi nuk mund të bëhet duke dhënë vendime të tilla.
Ish kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha e ka cilësuar vendimin e KPK-së për shkarkimin e tij, absurde dhe të pabazuar në argumente ligjore. Në deklaratën e tij për gazetarët në Shkodër, Vjerdha tha se gjykimi i tij është bërë mbi denoncimin e një avokati që ka bërë dëshmi të rreme.
“Gjykimi im është bërë mbi denoncimin e një avokati që ka bërë dëshmi të rreme. Gjykimi im mbi fakte banale”, u shpreh Vjerdha.
Vjerdha është një nga dy gjyqtarët që votuan kundër heqjes së dënimit me burg përjetë ndaj Dritan Dajtit në Apelin e Krimeve. Të hënën ai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës ai u përball dy herë në seancë dëgjimore, më 6 maj dhe më 7 qershor.
Gjatë vlerësimit të pasurisë, u konstatuan probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh. Por rihapja e hetimeve për kriterin profesional e rëndoi pozitën e Vjerdhës. /ABC News Albania 24/7