Armë “të pagjurmueshme” kanë hyrë në Shqipëri, Karamuço: Situata mund të bëhet e rrezikshme

schedule19:52 - 10 Tetor, 2022

schedule 19:52 - 10 Tetor, 2022

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka shpjeguar më detaje profilet kriminale ne “Radar Informativ”, duke filluar nga shkalla e rrezikshmërisë e deri tek taktikat që përdorin.

Karamuço tregoi se shkalla e rrezikshmërisë së kriminelëve përcaktohet edhe nga mënyra si ata kanë vepruar në vendngjarje dhe intensiteti me të cilin kanë kryer vrasjen.

Më tej, ai shpjegoi se kriminelët kategorizohen edhe sipas IQ, duke thënë se një person që ka kryer një vrasje tani nuk është i njëjtë me atë që kryen vrasje pas 10 vitesh, pasi ai ka mësuar më shumë gjatë kësaj kohe.

Eksperti u ndal gjithashtu tek armët e përdorura gjatë sulmeve dhe zbuloi një detaj të rëndësishëm, që mund të jetë mjaft i rrezikshëm nëse përdoret masivisht nga krimi i organizuar.

Karamuço u ndal tek rasti i vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj, të arrestuar pak ditë më parë, të cilëve iu gjetën armë të prodhura me printera 3 D.

Ai tregoi se këto armë prodhohen në zonën e Napolit, ku ka veprimtari grupi i Camorra-s. Sipas Karamuços, këto armë prodhohen pa seri dhe mund të jenë edhe replika të armëve të policisë dhe është e vështirë të zbulohen në rast ngjarjesh kriminale.

Ai shtoi se ministri i Brendshëm vetëm vitin e kaluar shpalosi një strategji për të mos lejuar futjen e këtyre armëve në Shqipëri, por ngjarjet e fundit kanë treguar të kundërten.

Karamuço tha se në rast se këto armë përhapen masivisht, atëherë situata do të bëhet shumë e rrezikshme. /abcnews.al