Franca u bëri thirrje qytetarëve të saj në Iran që të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur pasi rrezikojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare.
“Çdo vizitor francez, përfshirë ata me shtetësi të dyfishtë, ka një rrezik të lartë arrestimi, ndalimi arbitrar dhe gjykimi të padrejtë”, tha ministria e jashtme në faqen e saj të internetit.
Parisi këtë javë akuzoi Iranin për “praktika diktatoriale” dhe thotë se dy shtetas francezë po mbahen peng pasi një video u publikua të enjten në të cilën ata dyshohet se rrëfenin se ishin spiunë.
Teherani fajëson “armiqtë e huaj” për protestat dhe trazirat që kanë vazhduar prej javësh.
Më herët të premten, ministria e jashtme e Francës i bëri thirrje Iranit të lirojë dy shtetasit francezë.
Parisi tani planifikon t’i japë pas vdekjes titullin qytetar nderi Mahsha Amini, gruas iraniane që vdiq pasi u arrestua nga policia e moralit, njoftoi kryebashkiakja e qytetit Ann Hidalgo.
Hidalgo deklaroi se ky titull jepet për të nderuar ata që “luftojnë duke rrezikuar jetën”.
Kryebashkiakja e Parisit tha gjithashtu se do të propozonte riemërtimin e një zone të qytetit Amini, në mënyrë që askush të mos e harrojë.
Raporti përfundimtar i ekzaminuesit mjekësor iranian mbi shkakun e vdekjes së 22-vjeçares iraniane Mahsha Amini zbuloi se vdekja e saj “nuk ishte shkaktuar nga një goditje në kokë dhe gjymtyrë”, por nga dështimi i shumëfishtë i organeve, shkaktuar nga hipoksia cerebrale dhe e lidhur për një problem të mëparshëm shëndetësor të saj dhe konkretisht me “një operacion kirurgjik për heqjen e një tumori në tru në moshën 8-vjeçare”, sipas një raporti të televizionit shtetëror. /abcnews.al