Palmer pas vizitës në Beograd: Prishtina është autonome në marrjen e vendimeve

schedule11:20 - 11 Qershor, 2019

schedule 11:20 - 11 Qershor, 2019

Në një deklaratë për mediat serbe menjëherë pas përfundimit të vizitës së tij në Beograd, zv.ndihmësi Sekretar Amerikan i shtetit Metju Palmer u shpreh se Prishtina është autonome në marrjen e vendimeve.

Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Matheë Palmer,  ka deklaruar në Beograd  se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, të drejtuar nga Bashkimi Evropian. Sikurse transmeton Tv Klan Macedonia, pas bisedimeve me presidentin serb Alekandar Vuçiç, Palmer në një prononcim për median serbe ka lënë të kuptohet se administrate amerikane është e interesuar për heqjen e tarifave për mallrat serbe të vendosura nga Qeveria e Kosovës, por se Uashingtoni nuk mund ta detyrojë Prishtinën që ta bëjë këtë.

“Mendoj se ideja që  shumëkush e ka në Beograd se Shtetet e Bashkuara të Amerikës thjesht mund ta detyrojnë Prishtinën që të marrë ndonjë vendim është e pavërtetë dhe e pandershme për Kosovën. Ajo ka politikën e vet dhe merr vendimet e veta në mënyrë autonome. Shtetet e Bashkuara kanë njëfarë ndikimi  të cilin po mundohemi ta shfrytëzojmë me konstruktivitet, mirëpo Beogradi për rrugën e përparimit duhet të bisedojë me Prishtinën e jo me Uashingtonin”- ka deklaruar Palmer për agjencinë serbe të lajmeve FoNet. Me këtë rast ai ka shpjeguar se për administratën amerikane nuk është me rëndësi se ku do të mund të firmosej një marrëveshje gjithpërfshirëse mes Beogradit dhe Prishtinës – në Bruksel, Uashington ose ‘në anën e errët të Hënës” – është shprehur Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit duke bërë të ditur se përveç Beogradit dhe Prishtinës do të vizitojë edhe Sarajevën. /ABC News Albania 24/7