Duke bërë një analizë të asaj që ka ndodhur me hakerimin e sistemeve të e-Albania dhe TIMS, eksperti i teknologjisë Said Duleviç u shpreh që analizës i mungojnë dy të dhëna të rëndësishme: nuk dimë akoma se çfarë është marrë konkretisht si dhe nuk dihet akoma burimi i hakerimit. Në një lidhje direkte në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Duleviç u shpreh që mund të ketë një lloj manipulimi të sistemit MEMEX duke iu referuar të dhënave të hakeruara më parë nga Policia e Shtetit.
“Edhe mund të ndodhë patjetër sepse kanë marrë të dhëna sensitive, kanë marrë ndoshta dhe ndonjë listë nga Policia e Shtetit, mund të jetë nxjerrë një lloj liste që mund të ketë qenë e Policisë së Shtetit, por mund të jetë publikuar si e dhënë e Memex”, tha ai.
Duke bërë një analizë si ekspert i teknoligjisë së informacionit Said Duleviç u shpreh se “duke parë një lloj rrjedhje të dhënash, kanë bërë një lloj lidhje, duke marrë një emër, një numër telefoni, një numër karte identiteti.”
Duke iu referuar raportit të Microsoft, dhe ngjarjeve të tjera të hakerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, Duleviç u shpreh që sulmet nuk kanë të njëjtin intensitet pasi hakerat në sistemet shqiptare kanë qëndruar për shumë kohë dhe si pasojë historia mund të përsëritet sërish, dhe virusi mund të rimarrë jetë.
“Por mendoj që në momentin që sistemi është rivënë në punë, është bërë ndonjë lloj testimi nëse ka pasur virus si backup, mund të jetë ndonjë virus që ka hyrë prej shumë kohës, ka qenë pjesë e sistemit. Nëse janë marrë llogari dhe nga institucione të tjera, do të ishte një problem shumë i madh”, u shpreh Duleviç. /abcnews.al