Sali Berisha i ka bërë thirrje Lulzim Bashës që të bëjë transparencë lidhur me akuzën e fondeve ruse.
Në një deklaratë për mediet pasditen e sotme, Berisha tha se kjo është një çështje serioze dhe tërësisht personale. Sipas tij, asnjë qindarkë nga këto lekë nuk ka shkuar në institucionet e PD-së.
Pyetje: Keni një koment për disa takime që ka nisur Lulzim Basha me disa anëtarë të PD-së?
Berisha: I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze. E them në mënyrë të vendosur. Unë nuk kam komunikuar kohët e fundit, por Komisioni i Auditit i krijuar për këtë qëllim atij do ti japë të drejtën të shpjegojë këtë aktakuzë të rëndë, por tërësisht personale, pasi është faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD, nuk ka hyrë dhe dalë nga arka e PD, asnjë qindarkë. Kjo është e sigurtë. Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë të përsëritur, tashme. U bë njëherë nga gazetarë të Mother Jones, por tani nuk janë gazetarë, por shërbime inteligjente të SHBA.
Pyetje: Këto takime i shikoni si të padëmshme që bëhen pak muaj para zgjedhjeve lokale?
Berisha: Nuk kam asnjë lloj impresioni. U thashë edhe njëherë, me Bashën kam vetëm këtë problem, përsa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD, ai duhet të bëjë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranohet një gjë e tillë pa u sqaruar. Të gjithë presin këtë sqarim.
/Abcnews.al/