Portugalia dhe Kristiano Ronaldo janë tashmë fitues serialë. Suksesi në Euro 2016 u pasua me triumfin në Ligën e Kombeve, ndërsa e ardhmja parashikohet edhe më e mirë
Tashmë u bënë dy. Portugalia konfirmoi veten si një kombëtare fituese, duke bërë të vetën Ligën e Kombeve, vetëm tri vjet pasi triumfroi në Euro 2016.
Kapiteni Kristiano Ronaldo udhëhoqi skuadrën në këtë arritje të madhe, ashtu siç bëri në Francë, dhe ndoshta do t’i bindë të gjithë se meriton të cilësohet si lojtari më I mirë portugez I të gjitha kohëve, edhe mbi legjendën Euzebio.
Ylli i Juventusit nuk ishte I mrekullueshëm si në fitoren ndaj Zvicrës, ku shënoi 3 gola, por sërish ishte faktor vendimtar në fushë, përballë një Holande të mbushur me talent dhe lojë spektakolare.
Vetëm një karakter i fortë dhe ambicia e tij e pakufishme mund të bënte Portugalinë fituese, edhe pse “luzitanët” ishin shumë më tepër sesa Kristiano.
Lojtarë si Rui Patrisio, Semedo, Fonte, Fernandez, Danilo, Karvaljo apo Bernardo Silva janë padyshim një grup me klas.
Ashtu si sulmuesi Gedes, autori i golit të fitores kur sapo ishte mbushur një orë lojë.
Ronaldo nuk deshi të provonte një zhgënjim si ai Europianit 2004 humbur në shtëpi ndaj Gerqisë, ndaj vrapoi pas golit, deri tek zona e rreptësisë e ekipit të tij, duke nxitur shokët që të mos dorëzoheshin.
Në të vërtetë, nuk u zgjodh ai lojtari I ndeshjes, por Bernardo Silva.
“Jam shumë i lumtur, – u shpreh CR7-ta, – Ishte një fitore shumë e rëndësishme për të gjithë Portugalinë dhe për kombëtaren. Që nga viti 2016, ne e kemi ndryshuar historinë tonë, dhe ja ku fituam një tjetër trofe”.
Gazetari e pyeti nëse kjo fitore e afroi me Topin e Artë, dhe Ronaldo u përgjigj.
“Synimi im për ndeshjen ishte që të fitonim dhe të luaja mirë, jo Topi I Artë”, – tha ai.
Trajneri Fernando Santos gjithashtu fitoi trofeun e dytë në stol, duke e konfirmuar veten si një teknik tepër i zoti me ekipet përfaqësuese.
“Ne kemi lënë një shenjë të madhe për Portugalinë duke luajtur në këto finale, – tha ai, – Botërori nuk shkoi siç shpresuam, por ne menduam për të ardhmen, fituam, dhe mendoj se vitet e tjerë do të jenë edhe më të shkëlqyer. Portugalia ka shumë lojtarë të talentuar. Ky ishte edicioni i parë i Ligës së Kombeve, pra fitorja jonë ishte historike”.
Përse Holanda nuk ia doli?
Besohet se e deshi fitoren më pak sesa portugezët, që luanin para tifozëve të tyre.
Po ashtu, pati një minus të madh, pasi sulmuesit nuk ishin në nivelin e mbrojtësve dhe mesfushorëve.
Holandezët bënë gjithçka pas pushimit, dhe fare mirë mund të kishin barazuar, apo edhe fituar, por nuk ia dolën.
Tifozët portugezë, ndërkaq, u ndjenë të lumtur pas ndeshjes.
Kombëtarja e tyre më në fund është pjesë e përfaqësueseve të mëdha, që kanë fituar trofe në historinë e tyre.
Ata theksuan se Portugalia mund të imitojë Spanjën, Francën, Gjermaninë apo Italinë, për të qenë një Superfuqi e futbollit europian. /ABC News Albania 24/7