Rritet obeziteti tek fëmijët, Manastirliu: Plan kombëtar veprimi

schedule13:10 - 10 Qershor, 2019

schedule 13:10 - 10 Qershor, 2019

1 në 5 fëmije të moshës tetë dhe nëntë vjeçarë në vend janë obezë. Specialistet e shëndetit publik vërejnë me shqetësim rritjen e numrit të fëmijëve mbi peshë ndërkohe kërkojnë marrjen e masave. Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ndërmarrjen e një plani kombëtar veprimi për këtë problem.

Ndërsa  numri i fëmijëve nga 0 ne 5 vjeç nën peshë në Shqipëri ka renë ai i atyre mbi pesë vjeç obezë është rritur.  Kjo sipas specialistëve të shëndetit publik është një tjetër kambanë alarmi dhe i atribuohet kequshqyerjes.

 “Sipas studimit të fundit demografik dhe shëndetësor vërehet një rënie me 6% e numrit të fëmijëve mbipeshë të grup-moshës 0-5 vjeç në 10 vjeçarin e fundit, por ka një kambanë alarmi për sa i takon mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët 8-9 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP, 22% e tyre janë mbi peshë, prej të cilëve 10% janë obezë”, deklaroi Ministrja Manastirliu në fjalën e saj gjatë Forumit Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve”. 

Në Forumin Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve ministrja  Ogerta Manastirliu bëri të ditur ndërmarrjen e një plani kombëtar për mirë-ushqyerjen e fëmijëve.

 “Do të ndërmarrim një plan kombëtar veprimi me tre komponentë. Shëndetin e gruas shtatzënë, nxitjen e ushqyerjes me gji dhe mirë-ushqyerjen e fëmijëve. Ndryshimi i menuve në çerdhe dhe kopshte që u zbatua në Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin, sepse mirë-ushqyerja që në vogëli duhet të jetë prioritet kombëtar”. 

Studimi demografik dhe shëndetësor nxjerr në pah se aktualisht 11% të fëmijëve nga 0 në pesë vjeç janë më të shkurtër për moshën dhe 2 % konsiderohen të dobët për gjatësinë që kanë./ABC News Albania 24/7