Nacionalizmi mbi futbollin, shkarkohet trajneri i Malit të Zi

schedule09:30 - 9 Qershor, 2019

schedule 09:30 - 9 Qershor, 2019

Tradita dhe nacionalizmi arriti dy fitore ndaj futbollit mbrëmjen e fundit. Trajneri i Malit të Zi u shkarkua pasi bojkotoi ndeshjen me Kosovën, ndërsa tifozët ukrainas ofenduan Serbinë në ndeshjen eleminatore të Europianit.

Fundi i kësaj ndeshjeje, shënoi dhe fundin e tij, por edhe diçka më tepër.

Dueli Mali I Zi-Kosovë dhe shkarkimi i trajnerit Ljubisha Tumbakoviç tregoi edhe një herë tjetër sesa i dobët është futbolli përballë traditës apo historisë.

Pas vendimit të Federatës Malazeze për Tumbakoviçin, gazeta “Vijesti” e quajti largimin e trajnerit si fitore të çmendurisë mbi futbollin.

Analisti Aleksandar Radoviç komentoi se Tumbakoviçi është një trajner shumë i mirë dhe një njeri i shkëlqyer, por edhe ai ra viktimë e çmendurisë në të cilën jetojmë prej 30 vjetësh, nuk mundi të ishte më i fortë se presionet dhe kërcënimet nacionaliste-politike.

Radoviç e vlerësoi lart Tumbakoviçin që përballoi presionin deri ditën e ndeshjes, duke e stërvitur skuadrën për duelin me Kosovën.

“Vijesti” njoftoi përpara ndeshjes se mbi trajnerin dhe dy lojtarët pati presion të madh nga Serbia, trysni që erdhi nga media, por edhe nga strukturat serbe të futbollit, nga klube, trajnerë dhe tifozë.

Në të vërtetë, atmosfera në Mal të Zi ishte e qetë para ndeshjes, dhe tifozët malazezë prisnin thjesht që skuadra e tyre të fitonte, nuk mendonin se do të kishte provokime, ndërsa e kuptonin ndonjë lojtar shqiptar nga Mali i Zi që kishte zgjedhur të luante për Kosovën.

Në deklaratën e shkarkimit, Federata Malazeze e drejtuar nga legjenda Dejan Saviçeviç u shpreh se mbeti e habitur, por edhe e zhgënjyer, pasi sipas saj trajneri shkeli kushtet e parashikuara në kontratë.

Gjithsesi, tradita fitoi jo pak mbi futbollin edhe në Ukrainë.

Në stadiumin e Lvovit, kombëtarja vendase e trajnerit Andrij Shevçenko shkatërroi 5-0 Serbinë, por edhe këtu më shumë vëmendja u zhvendos tek ngjarjet jashtë sportit.

Një pjesë e madhe e tifozëve në stadium vërshëlleu fuqishëm himnin serb përpara fillimit të duelit, u shpalosën edhe flamuj kroatë, ndërsa u ofendua shteti serb.

Media në internet, “B92” titulloi: Mikpritja ukrainase! Himni serb u prit me vërshëllima, me ofendime dhe me shpalosjen e flamurit të Kroacisë.

Skandal e quajti edhe tabloidi “Kurir”, duke theksuar se këtë që na bënë ukrainasit, na e kishin bërë më parë vetëm kroatët dhe shqiptarët.

Përpara ndeshjes, një grup tifozësh ultras ukrainas dhe kroatë marshuan me flamuj të të dy vendeve, duke lëshuar thirrje anti-serbe.

Cila është arsyeja e kësaj urrejtjeje.

Shkaku kryesor mesa duket është miqësia e Serbisë me Rusinë dhe fakti se rreth 300 luftëtarë serbë luftojnë në radhët e kryengritësve antiukrainas në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!