Si kartelet meksikane, del skema: Si u ekzekutua krahu i djathtë i Ervis Martinajt, detaji me makinën

schedule11:48 - 29 Shtator, 2022

schedule 11:48 - 29 Shtator, 2022

Emisioni investigativ ‘Në shënjestër’ në News24 ka ndërtuar skemën 3D që tregon momentin e vrasjes së Brilant Martinajt bashkë me dy shokët e tij, Dikloen Vata dhe Besmir Hoxha. Ngjarja në fjalë ndodhi më 17 korrik, ndërsa objektiv i atentatit ka qenë Brilant Martinaj, kushëriri i parë i Ervis Martinajt.

Në pamjet e ndërtuara specifikohet se si autorët i zunë pritë makinës ku udhëtonte Martinaj, të cilët u qëlluan me 83 plumba dhe më pas mjetit iu vu flaka.

Sipas dinamikës në vazhdim, të ndërtuar nga grupi hetues, atentatorët mendohet se i pritën viktimat e tyre në hyrje të Urës së Fushë-Krujës. Menjëherë, pasi ata ishin nisur nga lokali ‘Brazil’, ku ishin ndarë me Jeton Lamin.

Aty ku thuhet se makina e autorëve, ka qëndruar në pritje për afro 55 minuta. Një tjetër detaj, që përforcon bindjen e grupit hetues, se një grup i gjerë keqbërësish, ishin të angazhuar atë të diel, për të ditur lëvizjet e Martinaj dhe shokëve të tij. Por ndërsa grupi hetues, priste që me posedimin e këtyre pamjeve filmike të zbulonte edhe djallin që fshihet në detaje, duket se autorët kanë qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre.

Gjatë gjithë pritjes së tyre, ata kanë hapur vetëm një moment derën e automjetit ku qëndronin në pritje.

Por, pa dalë asnjëherë nga aty. Çka nuk i ka dhënë asnjë mundësi grupit hetues të kryejë identifikimin e autorëve. Gjithçka tjetër, duket një film horror i xhiruar në rrugë. I denjë për ekzekutimet që mund të kryejnë vetëm kartelet e drogës në Meksikë.

Sapo shquajnë për së largu, makinën me të cilën Brilant Martinaj dhe miqtë e tij udhëtonin, makina në pritje lëviz nga vendi ku qëndronte prej kohësh dhe i vihet në ndjekje, objektivit. Pas tyre, po në këtë moment, vihet në ndjekje edhe një tjetër makinë, e cila duket sikur transporton vrasësit.
Ekzekutimi duket të jetë barbar dhe i egër.

Makina me Martinaj dhe shokët e tij në brendësi shpërthen në flakë. I vetmi që mundi t’i shpëtojë fillimisht furisë së pandalur të plumbave, duket se është Dikler Vata, që qëndronte në pjesën e pasme të mjetit.

Por edhe ky, duket se i shpëton përkohësisht plumbave të atentatorëve. Pasi në efektin e flakëve dhe tymit që kishte përfshirë ndërkohë automjetin, ai del nga aty, pa e ditur se atentatorët edhe pse në largim e sipër vazhdonin të shikonin nga automjeti i viktimave të tyre.

Është ky momenti, kur sipas grupit hetues, ata rikthehen edhe njëherë në vendngjarje dhe ekzekutojnë Dikler Vatën, i cili po përpiqej të mbushej me frymë në anë të rrugës ku digjej automjeti me dy miqtë e tij.

Sipas grupit hetues, menjëherë pasi u konstatua nga pamjet filmike, makina e dytë në krim, ata kryen verifikimin e tyre, se kujt i përkiste ky automjet. Në bazë të të dhënave të siguruara, rezultoi se ky automjet, i përkiste një emigranti që jetonte në Britaninë e Madhe, i cili u ndalua në avion në momentin kur po udhëtonte drejt Anglisë.

Por alibia e tij e fortë bëri që grupi hetues ta lironte shpejt nga përgjegjësitë. Si një person që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Paralelisht me këto veprime, policia gjeti pas ngjarjes, edhe një makinë të djegur. Makinë Wolksvagen Passat me portobagazh, me targa të pasme AA150OR, ku në brendësi të mjetit u gjetën edhe dy armë.