Vllaznia për femra ka shkruar historinë, duke u kualifikuar në grupet e Champions League. Një arritje që nuk e kishtë bërë asnjë klub shqiptar dhe që i ka bërë krenarë të gjithë. Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka reaguar pas kësaj arritjeje:
“Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite. Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.
Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.
Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.
E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë. Urime Vllaznia. Urime vajza”. / abcnews.al