Qeveria letoneze shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Rusinë, në vazhdën e mobilizimit të pjesshëm të vendosur nga Moska për të forcuar forcat e saj në frontin ukrainas.
Regjimi special siguron burime shtesë për të mbrojtur kufirin në rast se shumë rusë përpiqen të hyjnë në vendin baltik.
Gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyn në fuqi nga nesër e mërkurë dhe do të zgjasë tre muaj. Bëhet fjalë për zona në pjesën lindore të vendit, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, duke përfshirë aeroportet dhe stacionet e trenave.
Qeveria Letoneze ka vendosur gjithashtu të mbyllë pikën kufitare Pedetse në mënyrë që të kufizojë numrin e rusëve që hyjnë në vend. Përveç kësaj, roja kufitare u urdhërua të rrisë patrullimet e saj në kufirin me Rusinë.
Ministria e Punëve të Brendshme siguron se aktualisht situata në kufirin Letoni-Rusi mbetet nën kontroll. Megjithatë, në vazhdën e rekrutimit të pjesshëm të shpallur nga Kremlini, numri i rusëve që ikin nga vendi i tyre është rritur ndjeshëm. Prandaj, ekziston rreziku i një rritje të numrit të emigrantëve të parregullt, shton Ministria e Brendshme e Letonisë.
Qeveria Letoneze gjithashtu ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Bjellorusinë që nga gushti i vitit 2021, kur mijëra emigrantë u përpoqën të kalonin kufirin. /abcnews.al