Dy luftanije, një amerikane dhe një ruse, kanë evituar një përplasje mes tyre teksa kryenin manovra në ujërat e Paqësorit. Duke reaguar, secila palë ka akuzuar njëra-tjetrën për manovra të papërgjegjshme.
Një anije luftarake ruse dhe një tjetër amerikane kanë shkuar pranë përplasjes teksa lundronin në ujërat perëndimore të oqeanit Paqësor. Në reagimet përkatëse lidhur me incidentin e shmangur, që nuk është i pari që ndodh, secila palë ka fajësuar palën tjetër.
Flota ruse ka deklaruar se anija amerikane kishte kaluar vetëm 50 metra përpara anijes së saj dhe kjo e fundit ishte detyruar të kryente një manovër emergjente për të shmangur përplasjen. Por forcat amerikane kanë fajësuar atë ruse, duke deklaruar se kreu manovra të papërgjegjshme dhe i cilësoi akuzat e Kremlinit si propagandë.
Anija “Admirali Vinogradov” u ndodh 15 deri në 30 metra nga amerikania “Çansellorsvill” në ujërat e ishujve Filipine, saktësoi pala amerikane. Ndërsa ajo ruse insistoi se incidenti ndodhi në ujërat e Detit Lindor të Kinës dhe se anija e saj i kishte dërguar një sinjal proteste koleges amerikane. Të dyja vendet rregullisht akuzojnë njëra-tjetrën për manovra ushtarake të rrezikshme, në det dhe ajër.
Në nëntor, Shtetet e Bashkuara postuan pamjet e një avioni rus që i afrohej një amerikani teksa fluturonte mbi detin e Zi, një lëvizje që u quajt e papërgjegjshme, por që nga Moska u konsiderua si masë për të mbrojtur hapësirën ajrore./ABC News Albania 24/7