Kanë përfunduar duelet e para të raundit të 1/16-ve në Kupën e Shqipërisë. Kampionët në fuqi të Vllaznisë u mposhtën 2-1 në Vlorë përballë Flamurtarit. Kristijan Vulaj kaloi në avantazh ekipin e Mirel Josës, por kuqezinjtë përmbysën rezultatin në pjesën e parë falë golave të Fernandos dhe Dishajt.
Laçi dhe Kukësi nuk hasën probleme përballë Devollit dhe Labërisë. Bardhezinjtë triumfuan 0-2 (Barjamaj, Prengaj), ndërsa ekipi i Dobit fitoi 0-3 (Daci, Barbosa, Anane-Gyasi). Fitore në transfertë arriti edhe Bylisi në Pogradec.
Ekipi i Bellajt hodhi një hap të sigurt drejt kalimit në raundin tjetër falë suksesit 0-3 (Babacar, Lajthia, Atshimene), teksa fitoi edhe Erzeni. Surpriza më e bukur e këtij edicioni në Superiore, triumfoi 1-2 në Cërrik kundër Turbinës (Buxhelaj/Doksani, Nonato).
Teuta e mbylli në barazim pa gola përballjen me Luzin në transfertë, teksa Kastrioti iu fal golit të Ajazit për të thyer 1-0 në shtëpi Vorën. Skënderbeu nuk u përmbajt kundër Maliqit, duke fituar 1-5 derbin juglindor, ndërkohë që nuk pati fitues në takimin Besa-Korabi 1-1 (Onuh/Lala).