Hapen 28 qendra shëndetësore verore, Manastirliu: Shërbim 24/7

schedule16:15 - 7 Qershor, 2019

schedule 16:15 - 7 Qershor, 2019

28 qendra shëndetësore pranë zonave turistike do të ofrojnë shërbim përgjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditura masat e marra për sezonin turistik.

Kjo qendër shëndetësore në Divjakë është një nga 28 qendrat që do të ofrojnë shërbim shëndetësor në 24 orë 7 ditë të javës deri më 15 shtator.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi masat e marra.

“Për herë të parë këtë vit kemi shtuar si qendra 24 orëshe qendrën shëndetësore të Dhërmiut fshat si dhe qendrën shëndetësore Rrjoll, në zonën e Velipojës”.

Manastirliu bëri të ditur se të gjitha qendrat nga Veriu në Jug janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore për çdo rast urgjencë.

“Janë 132 mjekë dhe infermierë të trajnuar për çdo emergjencë, të cilët do të ofrojnë shërbim të specializuar në 28 qendrat verore, të cilat janë pajisur me të gjithë barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të mbuluar sëmundshmërinë e stinës së verës dhe urgjencën mjekësore”.

Veç qendrave verore, të gjithë ekipet mjekësore në spitalet pranë zonave turistike do të jenë me shërbim të përforcuar, ndërsa autoambulancat dhe helikopterët do të jenë në gatishmëri. I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore përmes numrit 127 ku adresohet çdo emergjencë shëndetësore./ABC News Albania 24/7