Dy italianë dhe një shqiptar janë kandidaturat kryesore për stolin e Partizanit. Trajneri I ri pritet të zgjidhet mes Adolfo Sormanit, Zdenek Zemanit dhe Ilir Dajës.
Koha e festës ka kaluar dhe po harrohet, ndërsa gjërat duhen ndrequr shpejt.
Largimi i trajnerit Skënder Gega i ka hapur problemin më të madh Partizanit, i cili po nxiton ta zgjidhë, dhe informacionet janë që kandidaturat kryesore për stolin janë tre.
Burime pranë klubit njoftojnë se ka fituar sërish pikë italiani Adolfo Sormani, njeriu që drejtoi ekipin për pak muaj në verë dhe vjeshtë 2016, kundrejt një rrogë që vlerësohet se ishte 6 apo 7 000 euro në muaj.
Me 53-vjeçarin, Partizani kaloi Ferencvaroshin në Ligën e Kampionëve, dhe arriti deri në turin e tretë të Ligës së Europës, duke u eleminuar nga skuadra shumë e fortë ruse, Krasnodar.
Ai u largua pas përplasjeve me disa lojtarë, duke akuzuar se në klubi nuk kishte disiplinë.
Pas Shqipërisë, Sormani punoi në Kinë si ndihmëstrajner, dhe si kryetrajner i Veljes në Danimarkë.
Kandidat i fortë edhe Zeman, por 72-vjeçari mund të kushtojë shumë.
Burime në klub pohojnë se mund të arrihet akordi edhe për 20 000 euro në muaj, veçse tek Peskara vjet, merrte 300 000 euro në vit sezonin e parë, dhe I ishte premtuar gjysmë milioni euro vitin e dytë.
Trajneri çek me pasaportë italiane ka një karrierë të gjatë, 36-vjeçare, me kulmet tek Foxha që e nxorri nga kategoria e tretë në Serinë A, tek Lacio, Roma, Fenerbahçe, Parma, Napoli, Crvena Zvezda, sërish Roma, Kaljari dhe së fundmi Peskara.
Gjithsesi, kryeqytetasit duket se nuk heqin dorë as nga Ilir Daja, një nga trajnerët më të mirë shqiptarë të viteve të fundit.
Daja ka përvojë të rëndësishme në kupat kontinentale, pasi arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës me Skënderbeun.
Po ashtu, ai ka eksperiencë të madhe në Superligë, duke dalë tri herë kampion, me Elbasanin, Dinamon dhe me Skënderbeun një vit më parë.
Gjithsesi, edhe Daja nuk do të kënaqet me rrogë të vogël, pasi burime në Vlorë pohojnë se fitonte mbi 6 000 euro në muaj tek Flamurtari, ndonëse nuk dihet nëse është paguar siç duhet nga klubi. /ABC News Albania 24/7