Danimarkë, zgjedhjet i fiton e majta e ashpër kundër emigrantëve

schedule16:00 - 6 Qershor, 2019

schedule 16:00 - 6 Qershor, 2019

Frederiksen, liderja 41 vjeçare e social demokratëve në Danimarkë do të jetë kryeministrja më e re në moshë në historinë e vendit. E majta ka shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet e përgjithshme pikërisht falë linjës së ashpër kundër emigrantëve

E përqendruan të gjithë fushatën elektorale në sistemin shëndetësor dhe ndryshimet klimatike, i cili mbetet shqetësimi i parë i zgjedhësve në Danimarkë. Por ajo që shënoi fitoren në vend të socialdemokratëve të Mete Frederiksen është linja e ashpër e partisë për emigrantët, që e ndihmoi ti merrte votat ekstremit të djathtë, i cili shënoi rënie deri në 8.7%.

Liberalët e Lars Loke Rasmussen dolën të humbur nga zgjedhjet e përgjithshme duke dorëzuar pushtetin pas 14 vitesh. Për Frederiksen, lideren 41 vjecare socialdemokrate, e cila do të jetë kryeministrja më e re në moshë në historinë e vendit, bëhet fjalë për zgjedhjet e para klimatike në historinë e Danimarkës.

Kjo u vu re dhe nga dyfishimi i votave për të gjelbërit të cilët u ngjitën në kuotën e 8 për qindëshit. Koalicioni i drejtuar nga socialdemokratët mori 91 nga 179 vende në parlament, kundrejt 75 të bllokut që mbështeste qeverinë për kryeministrin Rasmussen. Rezultate të mira mori i gjithë blloku i së majtës, që përfshin socialistët, social liberalët, kuq e gjelbërit si dhe të gjelbërit e Alternativës. Një trashëgimi votash që siguron mazhorancën absolute në parlament.

Por sipas analistëve në vend, liderja socialdemokrate mund të ketë problem në krijimin e qeverisë së koalicionit. Kjo sepse grupimet e tjera të së majtës, në pjesën më të madhe të tyre, nuk i mbështesin politikat e saj anti emigrant. Frederiksen nga ana tjetër refuzoi propozimin e Rasmusen për krijimin e një koalicioni të gjerë qeverisës me liberalët.

Pikërisht emigracioni ishte dhe një nga temat kryesore të fushatës elektorale. Në Danimarkën me popullsi 5.6 milion banorë, një në dhjetë ka lindur jashtë vendit, por për 30 për qind të popullisë ky është shqetësimi kryesor.

Qeveria në largim e qendrës së djathtë ndërmori një ashpërsim të procedurave të pritjes së emigrantëve, dhe në muajt e parë të këtij viti numri i azilkërkuesve është më i ulëti në 10 vitet e fundit. Për sa i përket socialdemokratëve, ata kanë premtuar se nuk do të ndryshojnë qëndrim.

Frederiksen premtoi gjithashtu se si kryeministre e vendit do të kërkojë dhe mbështetjen e të djathtës kur të flitet për cështje që lidhen me emigracionin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!