Balla nga Berlini: Opozita ka hedhur baltë në Gjermani

schedule11:55 - 6 Qershor, 2019

schedule 11:55 - 6 Qershor, 2019

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nuk ka dhënë asnjë koment për përgjimet e bëra publike një ditë më parë nga gazeta BILD. Nga Berlini ku ka zhvilluar një vizitë dy ditore, numri dy i Partisë Socialiste ka akuzuar opozitën se ka bërë përpjekje kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Asnjë fjalë për përgjimet e gazetës Bild nuk tha kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në mbyllje të vizitës dy ditore në Gjermani. Zgjodhi të  komentojë vetëm artikullin e Die Welt mbi bukuritë e Shqipërisë.

 

Po ashtu dua të ndaj me ju faktin që gazeta më e madhe gjermane, përsa i përket edhe qasjes në politikën e jashtme, Die Welt kishte një edicion të veçantë kushtuar Shqipërisë.

Në më shumë se 50 faqe kjo gazetë kishte prezantuar një Shqipëri të vërtetë, jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë”, tha Balla.

Pavarësisht situatës në vend ku prokuroria ka nisur hetimet edhe ndaj vetes për të zbardhur nxjerrjen e sekretit hetimor, kreu i grupit parlamentar socialist flet për baltën që është mundur të hedhë opozita në Gjermani.

“Edhe këtu nga Berlini dua ta them shumë qartë se kushdo politikan që është kundër kësaj reforme është automatikisht kundër rrugës evropiane të Shqipërisë.

Për fat të keq, opozita shqiptare është munduar edhe në Gjermani, të hedhë baltë mbi Shqipërinë dhe mbi rrugën evropiane të saj, por unë jam i bindur që këtu kjo baltë nuk ngjit për sa kohë që vlerësimi është teknik. Ky vlerësim ka të bëjë me realizimin e këtyre reformave; Reforma në Drejtësi, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit njihet si rezultat pozitiv dhe progres i dukshëm nga ana e Shqipërisë”, tha ai.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla ka zhvilluar takime në Parlamentin Gjerman (Bundestag) dhe me përfaqësues të Qeverisë gjermane. Qëllimi ishte biseda lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe shqyrtimi i këtij rekomandimi nga Bundestagu gjerman në një kohë sa më të afërt./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!