Truss: Do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në fitoren e saj kundër Rusisë

schedule09:45 - 22 Shtator, 2022

schedule 09:45 - 22 Shtator, 2022

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në fitoren e saj  kundër Rusisë, tha në një deklaratë kryeministrja e re Liz Truss në fjalimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Në këtë moment kritik të luftës, unë zotoj se do të ruajmë ose rrisim mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Ne nuk do të ndalemi derisa Ukraina të triumfojë”, theksoi Truss.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi që Rusia të ndëshkohet për krimet, të cilën presidenti amerikan Joe Biden e akuzoi për “shkelje” të parimeve themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Truss tha se presidenti rus Vladimir Putin, i cili njoftoi ditën e djeshme mobilizimin e qindra mijëra rezervistëve, “po përpiqej të justifikonte dështimin e tij katastrofik” në Ukrainë.

Por kjo “nuk do të funksionojë”, vazhdoi ajo, “aleanca ndërkombëtare është e fortë dhe Ukraina është e fortë”, tha kreu i ri i qeverisë britanike. Për Liz Truss “ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, ata po mbrojnë vlerat tona dhe sigurinë e të gjithë botës” dhe “kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë”.

Kryeministri u zotua se “deri në vitin 2030, Mbretëria e Bashkuar do të shpenzojë 3% të PBB-së së saj për mbrojtjen, duke ruajtur pozitën e saj udhëheqëse si një faktor sigurie në Europë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!