Në “Byro Politike” mbrëmjen e sotme paneli i të ftuarve kanë folur për audio përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, të cilat janë regjistrime audio të “Dosjes 339/1”, pjesë e së cilës është grupi i Avdylajve të Shijakut. Në 6 përgjime audio të publikuara online dëgjohet Astrit Avdylaj, që sipas “Bild”, mbledh vota në favor të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, përpara zgjedhjeve të 2017-s.
Shpëtim Nazarko: Në gjykim tim e vërteta gjendet në mes në këto raste sepse zona për të cilën po diskutojmë ne ka qenë këto 20-25 vitet e fundit, ka qenë historiku ku herë ankohet PD-ja dhe herë ankohet PS-ja. Në zgjedhje e viti 2005 ankohej Agron Duka që tani është në koalicion këtej, që ankohej se mi mori votat i ndjeri Olldashi. Unë dëgjova dhe lexova edhe shtypin sot, njëri nga ato kishte vlerë si informacion se kishte të bënte me ujësjellësin. Ndërsa historia që i thuhet të heqë atë gjobën ishte karagjozllëk. Sepse një bandit i një formati të këtij lloj që urdhëron dhe merr zgjedhjet nuk ka nevojë t’i lutet një nëpunësi. E vërteta gjendet në mes në të gjitha rastet.
Preç Zogaj: Këto përgjime vërtetojnë më mirë dhe më shumë se më parë dhe janë në vazhdën e përgjimeve që janë botuar në shtyp në Nëntor të vitit 2017 kur është botuar përgjimi i parë nga kjo dosje, ku përsëri është përgjuar njëri nga këto të bandës së Abdylajve duke komunikuar me Vangjush Dakon. Dhe për herë të parë një informacion i tillë është publikuar në “Opinion” nga gazetari Lorenc Vangjeli.
Mentor Kikia: Në parim për ne si shqiptarë nuk ka asnjë lloj rëndësi dhe ndryshe nga ç’tha zoti Basha u shokuam, ne nuk jemi shokuar sepse ne jemi familjarizuar me këtë mjedis ku ndodh shit-blerja e votës. Rëndësi e këtij publikimi i jep fund debatit politik dhe mediatik, nëse janë apo nuk janë të vërteta dhe ka apo nuk ka spekulime. Kjo është një fotografi e cila nuk vihet në dyshim sepse nuk e ka vënë në diskutim as vetë Prokuroria. Përgjimet kanë efekt politik dhe publik pa fund, por a do ketë impak ligjor nuk di ta them sepse nuk di nëse do të ketë një fund.
Ervis Iliazaj: Shqipëri është në krizë të thellë sot për shkak të kësaj historie dhe për këtë duhet ta trajtojmë me rëndësinë e duhur sepse po e trajtuam sipërfaqësish se kështu ndodh gjithmonë… duhet të dimë se Shqipëria është në krizë të thellë sot nga kjo histori./abcnews.al