Në Izyum të Ukrainës ku u zbulua një tjetër varr masiv, janë zhvarrosur së fundmi edhe dy fëmijë. Lajmin e ka bërë të ditur guvernatori i Kharkiv-it, Oleg Sinegubov i cili theksoi po ashtu se trupat do të dërgohen në qendra të specializuara për procedura të mëtejshme.
Po ashtu, ai theksoi edhe një herë se pjesa më e madhe e trupave shfaqin shenja torture dhe dhune.
“Zhvarrimi i kufomave nga vendi i varrimit masiv të Izyum është duke vazhduar. Deri më tani janë zhvarrosur 146 trupa, shumica dërrmuese e të cilëve janë civilë, duke përfshirë 2 fëmijë. Të gjithë trupat do të dërgohen në qendra të specializuara për një ekzaminim mjekoligjor për të zbuluar shkaqet e vdekjes.” /abcnews.al/