Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel me deklaratat e bëra së fundmi në lidhje me krizën energjitike po i kërkon Komisionit Evropian të marrë masa më thelbësore. Michel tha se BE duhet të shkojë përtej planeve të saj për të trajtuar krizën e energjisë dhe të sigurojë që njerëzit të mund të paguajnë faturat e tyre të energjisë.
“Ato janë propozime të mira, por do të nevojiten më shumë ,” u tha gazetarëve presidenti i Këshillit Evropian, duke iu referuar planeve të BE për të ulur çmimet e energjisë për qytetarët dhe bizneset e BE.
Kujtojmë këtu se planin e Komisionit për të trajtuar krizën energjetike e njoftoi të mërkurën në mëngjes presidentja Ursula von der Leyen, në fjalimin vjetor “Gjendja e Bashkimit Evropian”.
Ndër të tjera, plani parashikon një kufi në fitimet e kompanive që prodhojnë energji elektrike me synimin për të mbledhur më shumë se 140 miliardë euro. Disa javë më parë kishte pasur edhe aludime nga Michel për mënyrën sesi Komisioni e ka trajtuar krizën.
Për rritjen e çmimit të energjisë, presidenti i Këshillit Evropian kishte thënë se “për shumë muaj krerët e shteteve dhe qeverive i bëjnë thirrje Komisionit që të punojë për këtë çështje”.
“Nuk ka pasur konsensus për llojin e vendimit që duhet të merret, por ka pasur konsensus për t’i bërë thirrje Komisionit të paraqesë propozime specifike ,” shtoi ai.
“Ka një ndjenjë që Komisioni humbi kohë dhe kjo është për të ardhur keq ”, kishte shtuar Michel. /abcnews.al/