Rama: Opozita ka frikë, të alarmuar nga reforma në drejtësi

schedule18:15 - 2 Qershor, 2019

schedule 18:15 - 2 Qershor, 2019

Partia Socialiste çeli fushatën e saj në qytetin e Lezhës këtë të diel ku prezantoi Pjerin Ndreu kandidat për kryetar bashkie. Në fjalimin e mbajtur nga ana e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se opozita ka frikë nga zgjedhjet. Ai theksoi se zgjedhjet nuk janë antidemokratike për shkak se opozita nuk ka pranuar vetë të hyjë në zgjedhje.

“Ata kanë frikë nga zgjedhjet, prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Kanë frikë të vijnë përpara popullit dhe të pranojnë gjykimin e popullit. Ata kanë frikë nga ballafaqimi me ne, prandaj dhe përbetohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike përveçse të dënueshme nga ligji i këtij vendi dhe çdo vendi demokratik. Një gjë duhet ta themi çdo ditë, ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet, nuk kanë në dorë asnjë gjë tjetër, përveç ikjes së tyre në drejtim të paditur. Drejtimi i Shqipërisë dihet. Zgjedhjet janë antidemokratike kur opozita pengohet të hyjë në zgjedhje. Kur ajo nuk pranon të hyjë në zgjedhje nuk është aspak antidemokratike”, tha Rama.

Më tej, kryeministri nënvizoi se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi.

“Ngaqë nuk fitojnë dot thonë nuk ka rëndësi ça voton populli ne duam të ikni ju dhe të vijmë ne. Dhe që të ikni ju ne nuk duam zgjedhje se me zgjedhje nuk fitojmë dot, por duam një kryeministër që e vendosim ne. Kjo nuk është parë askund dhe nuk ka për t’u parë as këtu. Ata janë pak, ne jemi shumë. Ata janë dembelë. Dëgjojini kur flasin. Përtojnë edhe të mendojnë dhe nxjerrin nga goja vetëm fjalë që çdo prind u thotë fëmijëve se janë fjalë që nuk duhen përdorur. Janë të paaftë përveçse janë dhe dembelë. Ndërsa ne nuk jemi të përsosur. Jemi njerëz si të gjithë njerëzit, por një gjë është kuptueshme jemi punëtorë dhe të përkushtueshëm për të bërë më mirë. Ata janë frikacakë. E keni parë Beni ecën vetë, kur Beni hyn në pyll. Ata bërtasin për të trembur frikën e tyre dhe nuk trembin dot askënd. Janë të alarmuar nga reforma në drejtësi. Nuk e kanë dashur qysh në ditën e parë. Nuk e duan as sot, por ndryshe nda dita e parë e dinë që nuk e ndalin dot. Ne jemi guximtarë. Kemi guxuar ta vendosim në programin tonë reformën në drejtësi, kur ekspertët thoni mos e vendosni se nuk bëhet me një shumicë të thjeshtë. Ja ku jemi këtu, dhe po zbatohet.

Paniku i çon në rrugën e dhunës, jo trimëria. Trimat nuk bëjnë dhunë. Ata janë komplet të verbëruar nga dëshpërimi. Ne jemi zgjedhur për të udhëhequr. Nuk kemi as mundësin, por mbi të gjitha s’kemi as të drejtën që të ndalojmë dhe të ndjekim nga pas ata që ecin mbrapa. Ne jemi zgjedhur për të udhëhequr para. Kush kujton se mund të na tërheqë mbrapsht atëherë do ta shohë shumë më keq se ç’e ka parë deri më tani veten karshi shqiptarëve”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!