Sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

schedule15:11 - 12 Shtator, 2022

schedule 15:11 - 12 Shtator, 2022

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet edhe për sulmin kiberntik ndaj sistemit TIMS të Shqipërisë.

Rasti është përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti, ndërsa është regjistruar rocedimin penal për veprat penale “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”;  “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”; “Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Lexo edhe: Irani sulmon Shqipërinë, bie sistemi TIMS: Çfarë ndodhi mbrëmë në orën 23:13, a janë vjedhur të dhënat e shqiptarëve?

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS, i cili rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë.

Më datë 19.07.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale:

“Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”;

“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”;

“Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike”; dhe

“Keqpërdorimi i pajisjeve”, të parashikuara nga nenet 293/a, 293/b, 293/c, 293/ç, të Kodit Penal.

Objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Po kështu, më datë 09.09.2022 është kryer një tjetër sulm kibernetik në pajisjet dhe sistemet që administrohen dhe menaxhohen nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.

Këto dy veprime, duke qenë se janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim, po hetohen në një dosje të vetme.

Si në momentin e sulmit të parë ashtu edhe në sulmin e dytë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke operuar me vendimmarrjet urgjente që ka diktuar dinamika e veprimeve.

Në ushtrim të kompetencave të saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me gjithë agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët që asistojnë autoritetet shqiptare, prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore, duke përfshirë dërgimin e kërkesës për ndihmë juridike në disa shtete.

Hetimet në lidhje me këto raste janë komplekse dhe po vijojnë. /abcnews.al