Prej një muaji, fati i “mbretit të lotove”, Ervis Martinaj është mister.
Familja e tij denoncoi se kishte humbur kontaktet me të shumëkërkuarin e drejtësisë, ndërsa hipotezat për zhdukjen e tij janë të shumta, që nga inskenimi e deri te eleminimi fizik nga kundërshtarët e tij.
Gazetari i Abc, Artan Hoxha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Radarin Informativ”, me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se Martinaj nuk ishte një njeri i zakonshëm.
Ai evoluoi botën e krimit dhe krijoi një miksim mes biznesit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm me botën politike.
Por sipas Hoxhës, edhe pse aleanca e krijuar nga Martinaj ishte e fuqishme, grupi që e ka eleminuar tregoi se ka lidhje më të fuqishme me autoritetet.
Hoxha: Vis Martinaj është rrëmbyer në momentin që ishte njeriu më i kërkuar në Shqipëri. Aleanca e krimit është një aleancë mes grupeve të fuqishme. Vis Martinaj nuk ishte një personazh i zakonshëm i botës së krimit, ai evoluoi botën e krimit, miksoi biznesin e ligjshëm me atë të paligjshëm, botën politike. Ai bëri një miksim të strukturës së krimit të organizuar në Shqipëri. Aleanca që e ka kryer këtë atentat kanë dëshmuar që kanë lidhje shumë më të fuqishme me autoritet. Tani do të jetë shumë e vështirë të rikthehet kontrolli e rendit dhe sigurisë. Nuk kemi të bëjmë me organizata që merren me krim ordiner, por me organizata që kanë buxhet më të madh se ministria e Brendshme. Sot e kësaj dite ne ende nuk e dimë, autoritete nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje se çfarë ka ndodhur.
Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn?
Policia nuk ka një version zyrtar në lidhje me çfarë ka ndodhur me të, megjithatë në media deri më tani kanë dalë dy versione kryesore. Një pjesë e gazetarëve të kronikës raportojnë duke iu referuar një videoje që ata thonë se e kanë parë, se Ervis Martinaj është kapur nga kundërshtarët e tij dhe është ekzekutuar. Ndërkohë, versioni tjetër lidhet me një skenar në lidhje me zhdukjen e tij me qëllim shmangien nga policia e cila e kishte shpallur në kërkim, por edhe prej kundërshtarëve pas vrasjeve të fundit në rrethin e tij shoqëror./Abcnews.al/