Kombëtarja shqiptare U-15 për femra ka arritur suksesin e parë dhe historik si ekip, teksa ka mundur me shifrat bindëse 3-1 bashkëmoshataret e Luksemburgut!
Një fitore tepër e rëndësishme për vajzat kuqezi, të cilat veshën për herë të parë bluzën e kombëtares dhe përfaqësuan ngjyrat kuqezi në një turne zhvillimor të grupmoshës U-15 të organizuar nga UEFA në Bosnje-Hercegovinë.
Ekipi kuqezi u drejtua në këtë sfidë nga trajneri Kreshnik Krepi që e nisi ndeshjen me këtë formacion: Laura Gjergji (GK), Adile Sharka, Kostandina Cipi, Imelda Ara, Albina Tashi, Olivia Nazarko, Samanta Hysa, Anja Goskova, Egla Hoxha, Aishe Sulejmani, Gelda Kadiolli (C).
Skuadra e vajzave, përveç fitores me tripletë, bindi edhe me paraqitjen, teksa arriti të gjejë shumë shpejt epërsinë me Egla Hoxhën, e cila realizoi golin e parë në minutën e 17-të. Kuqezezat tentatuan sërish të gjenin rrjetën, por nuk finalizuan dot, teksa pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Shqipërisë.
Pak minuta pas nisjes së fraksionit të dytë të lojës, Gelda Kadiolli, kapitenia e ekipit U-15 dyfishoi shifrat për skuadrën shqiptare, teksa pak minuta më vonë, pikërisht në minutën e 64-t, realizon edhe golin e tretë dhe vulos dopietën personale.
Luksemburgu shënon disa minuta më vonë golin e nderit, por rezultati final flet në favor të Shqipërisë së drejtuar nga Kreshnik Krepi, 3-1.
Një lojë e shkëlqyer nga vajzat kuqezi, që në këtë ndeshje të parë si ekip treguan vlera dhe dinjitet në fushën e lojës.
Duhet theksuar se këto vajza janë produkt i kampionatit kombëtar U-16, që ngriti siparin në shkurtin e këtij viti, por edhe ekipeve të shkollave 9-vjeçare, ku prej disa vitesh zhvillohet kampionati i shkollave në disa zona të Shqipërisë, një iniciativë e FSHF-së për të masivizuar numrin e vajzave që luajnë futboll.
Pas dy ditësh, Shqipëria do të zhvillojë sfidën e dytë të turneut ndaj Sllovenisë, ndërsa më 11 shtator vajzat kuqezi do të përballen me Bosnje-Hercegovinën. /fshf.org