Numri dy i socialistëve Taulant Balla nga foltorja e parlamentit shprehu bindjen se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të hapen këtë vit, por pa përmendur muajin Qershor.
“Shpreh bindjen se Shqipëria brenda vitit 2019 do të hapë negociatat me BE. Është fakt që vitin e kaluar KE mori të njëjtin vendim ndaj Shqipërisë, por Këshilli Evropian vendosi shtyrjen, për shkak se vendimmarrja në këtë organizëm politik nuk është vetëm teknike, por shkon dhe është mbi të gjitha politike”.
Sipas kryetares së grupimit demokrat Rudina Hajdari, faji nuk është i Bashkimit Europian, por politkës shqiptare në mazhorancë dhe opozitë.
“Ndërsa këta të mazhorancës faksojnë BE për vonesën e negociatave, ne nuk dimë a kuptojmë çfarë është integrim… A thua e dinë këta çfarë është integrim kur i thonë shqiptarëve që rroga këtu është më lartë se në Gjermani? A thua se kryetari kësaj opozite jashtë parlamentare e di se çfarë ka bërë për Integrimin Evropian?”
Përgjigja për këtë i erdhi nga kolegët e mazhorancës dhe opozitës edhe pse tërthorazi. Për socialistët, është opozita ajo që nuk ka përmbushur pjesën e saj. Diskutimi u zhvillua nën drejtimin për herë të parë nga nënkryetari i grupimit të ri opozitar, Myslym Murrizi, në mungesë të kreut të kuvendit Ruçi i cili ndodhej në një takim zyrtar./ABC News Albania 24/7