Ish-deputetët e PD-së në prokurori për aktet e dhunës në polici me 16 Shkurt

schedule10:45 - 30 Maj, 2019

schedule 10:45 - 30 Maj, 2019

Ish-deputetët e Partisë Demokratike,të marrë në hetim për ngjarjet e 16 Shkurtit para drejtorisë së Policisë së Tiranës, ishin sot në prokurori për të dhënë deklarimet e tyre. Pas marrjes në pyetje, Enkelejd Alibeaj tha se bashkë me 5 ish-deputetët e tjerë ka bërë një kallëzim penal për dhunën e ushtruar ndaj tyre më 16 shkurt.

Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike, ishin këtë të enjte në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë sqarime në lidhje me dhunën e pretenduar, ndaj ndaj punonjësve të policisë mbrëmjen e 16 Shkurtit.

Enkelejd Alibeaj në një prononcim pas deponimit para grupit hetimor, tha se janë të angazhuar për të dalë e vërteta dhe se për ngjarjen e 16 shkurtit kanë bërë një kallëzim penal.

“Ju e morët vesh më parë dhe pastaj e morëm vesh ne që ishin në procedim, ndërkohë që nuk dimë asgjë se çfarë materialesh ka mbledhur Prokuroria. I kam kërkuar prokurorit, që atë aktin e thirrjes që është absolutisht i pavlefshëm ta rikorrigjojë. Sot do u bëj me dije aktin që ka bërë prokurori para dy ditësh, i cili e pranoi edhe vetë që është absolutisht gabim”, tha Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj paraqiti para kamerave një foto ku akuzon policinë për shpërdorim të detyrës.

Prokuroria ka marrë nën hetim ish-deputetët Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj. Ndaj tyre, policia ka ngritur akuzë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”.

Ish-deputetët e PD-së u futën me forcë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbaheshin të shoqëruar disa protestues, dhe më pas nisin të përplasen fizikisht me efektivët e policisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!