Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka denoncuar sërish atë që e cilëson aferën më të madhe të Portit të Durrësit. PD u ka bërë thirrje “qytetarëve të Durrësit të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për të blerë apartamente nga kompania fantazmë Rama-Alabbar”. Berisha theksoi se do bëjë përgjegjës penal Edi Ramën për dëmin e tmerrshëm që i ka krijuar vendit me mbylljen de facto të portit kryesor.
Berisha: Të dhëna të reja dëshmojnë se tentakulat e mafies Rama-Alababr përfshijnë vëllezërit Kariç dhe më të dashurit e Lukashenkos. Siç e shihni kemi të bëjmë me një dorëzim të Portit më të rëndësishëm të Shqipërisë, mafies më të rrezikshme Edi Rama, Bratia Kariç dhe Vuçiç prapa tyre. Vëllezërit Kariç janë aksionerët kryesorë të dy kompanive të Alabarit në Beograd. Përsëri kjo kompani arabe ka tentakulat e saj në Minsk, ku kompania e Minskut ka për president, ndihmësin kryesor të Lukashenkos. Në këtë kontekst, jo vetëm që Edi Rama po ndërton Dubain e tij, të familjes së tij, por po e ndërton atë me grupe të rrezikshme antishqiptare dhe antieuropiane, siç janë biznesmenët të Bjellorusisë dhe ata të Beogradit. Në këtë aferë multi miliardëshe kemi të bëjmë me një bashkëpunim të gangsterëve politik të rajonit me ata të Vladimir Putinit në Bjellorusi. Edi Rama do me çdo kusht të dominojë me interesat e tij familjare mbi interesat e shoqërisë shqiptare mbi interesat e vendit dhe kombit. /Abcnews.al.