Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka biseduar me kryetarët e komunave nga partia e tij për të parë mundësinë që të ekzekutojnë pagat për punëtorët e sektorit publik, të cilat janë bllokuar nga Qeveria, e cila kërkon lista të grevistëve nga komunat për t’i ndëshkuar në paga.
Abdixhiku, në emisionin Pressing, ka thënë se nuk mund të lihen punëtorët pa paga, marrë parasysh krizën ekonomike në të cilën gjendemi.
“Kam biseduar me kryetarët tanë nëpër komuna, që të shohim mundësinë që komunat të bëjnë pagesat e pagave, pavarësisht qeverisë. Të shohim mundësitë që të lehtësojmë jetën e nejrëzve, s’mund të lihen paga. S’ka zjgidhje tjetër”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.
Abdixhiku u shpreh se partia e tij do ta mbështes çfarëdo nisme për adresimin e kësaj çështjeje në gjykatë.
“Për adresimin e kësaj çështjeje në gjykatë, LDK qëndron prapa. Për gjithë gushtin, kur s’ka pasur grevë, ti s’mund ta sanksionosh një njeri. Sanksionimi i tillë, edhe po të jetë ligjor, nuk është i drejtë në këtë krizë”, ka deklaruar ai.
“Pse duhet ta dënosh njeriun tënd, që është në krizë në këtë kohë”, ka pyetur me shqetësim Abdixhiku.
Ai ka thënë se qeveria fare s’ka pasur biseda me sindikatat dhe ato janë përjashtuar nga hartimi i ligjit për paga.