Barcelona konfirmon trajnerin Ernesto Valverde. Klubi katalanas vendosi të mos e shkarkonte, pasi Lionel Mesi dhe lojtarët e tjerë të skuadrës, e mbështetën teknikun.
Nuk ishte e lehtë të hidheshin poshtë dy tituj kampion.
Barcelona u mendua gjatë, por përfundimisht vendosi që trajneri Ernesto Valverde duhej të vazhdonte detyrën.
Presidenti Zhozep Bartomeu, njeriu që e kishte mbështetur 55-vjeçarin gjatë gjithë kohës, gjykoi se ai meritonte edhe një shans tjetër, ndonëse do të ketë një analizë të thellë teknike pas dështimeve të këtij sezoni.
Mësohet se në favor të Valverdes kanë qenë lojtarët kryesorë të skuadrës, mbi të gjithë kapiteni Lionel Mesi, por edhe Pike, Zhordi Alba apo Rakitiç.
Fillimisht u mendua se trajneri do të shkarkohej, si pasojë e eliminimit tronditës në “Anfild” ndaj Liverpulit për Championsin.
Kjo bindje u përforcua kur katalanasit humbën edhe finalen e Kupës së Mbretit ndaj Valencias, me suksesin që pritej të ishte plotësisht i arritshëm.
Dy titujt radhazi në La Liga, fitorja e vjetshme në Kupën e Mbretit dhe ajo e Superkupës së Spanjës, po dukeshin shumë pak për standardet që kërkohen në “Kamp Nou”.
Klubi katalanas duket se e mbajti Valverden edhe për një arsye tjetër, atë që nuk gjeti pasardhës të duhur.
Mediat spanjolle kishin përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm.
Gjithsesi, trajneri I Belgjikës, Roberto Martinez, e hodhi poshtë këtë mundësi duke pasur kontratë me Federatën Belge.
Po ashtu, ish-kapiteni Ronald Kuman, shënuesi i golit të fitores në Championsin e parë të Barçës, duket se nuk e pranoi ofertën.
Valverde u konfirmua, por një tjetër dështim në Champions vitin e ardhshëm, nuk do të tolerohet./ABC News Albania 24/7