Një oficer policie u vu në pranga pas një hetimi 10 mujor lidhur me një rast trafikimi të 2.5 tonëve kanabis sativa nga Shqipëria drejt Italisë. Arrestimi i Festim Lelajt çon në 8 numrin e të arrestuarve për këtë rast narkotrafiku.
Tre persona, mes të cilëve edhe një oficer policie, u vunë në pranga për tentativën e trafikimit nga Shqipëria drejt Italisë së një sasie prej 2.5 tonë kanabis sativa. Në pranga, janë vënë: Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Komisariatin e Fierit, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. Urdhër ndalimet ndaj tyre janë firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Renda pas një hetimi 10 mujor dhe u ekzekutuan të marten nga policia. Sipas një njoftimi të bërë publik nga organi i akuzës oficeri i lartë policisë konsiderohet se ka patur rolin e organizatorit, të dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 tonë lëndë narkotike kanabis nga Porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017. Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin, pasi autoritetet italiane në Ankona zbuluan një kamion me lëndën narkotike, i cili drejtohej nga shtetasi shqiptar Dhimo Koraj. Pas këtij arrestimi është arritur të identifikohen dhe arrestohen edhe disa persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal. Fillimisht u arrestuan Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit arrest në burg. Gjatë hetimit është vendosur caktimi i masës sigurimit arrest në burg për shtetasin Aurel Lazaj, masë e cila është ekzekutuar para pak ditësh. Dhe së bashku me tre arrestimet e së martës shkon keshtu në 8 numri i personave të vënë në pranga për këtë rast trafikimi./abcnews.al