Ish-drejtori Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi është liruar nga burgu.
GjKKO ka marrë vendimin për lirimin e Gëllçit, i cili u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.
GJKKO pranoi kërkesën e avokatit Dorian Matlia për lirimin e tij për shkak se i kanë mbaruar afatet e dënimit. Ndërkohë cështja ndaj tij do të zhvillohet në apel ku Gëllci kërkon pafajësi.
Ish-drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi u dënua nga GJKKO me dy vite burg, për shkak të një abuzimi me tenderin për RTSH Agro.
Gëllçi përfiton nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur kështu dënimi në 1 vit e 4 muaj. Po ashtu, ai nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vitet e ardhshme.
Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të KVO u arrestuan nga SPAK pasi dyshohet se kishin kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, për blerjen e materialeve për hapjen e kanalit RTSH Agro.
Thoma Gëllçi gjatë dëshmisë së tij para prokurorëve kishte sqaruar se e kishte bërë zgjatje të kontratës me kompaninë, duke nënvizuar faktin se është një procedurë që e parashikon ligji i prokurimit.
Ai ka mohuar kategorikisht që të jetë abuzuar me fondin prej rreth 87 milionë Lekësh për hapjen e kanalit RTSH Agro.
Zyrtarët e RTSH-së u arrestuan në fillim të muajit Tetor të vitit të shkuar, pas denoncimit që bënë kompanitë e skualifikuara në tender. /abcnews.al