Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Haradinaj: Më parë të hiqen pengesat burokratike

schedule20:45 - 28 Maj, 2019

schedule 20:45 - 28 Maj, 2019

Ndonëse e ka quajtur një projekt shekullor, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se në situatën aktuale Shqipëria dhe Kosova duhet t’i paraprijnë bashkimit duke hequr pengesat burokratike të bashkëpunimit.

Projekt historik e ka quajtur bashkimin kombëtar Kosovë – Shqipëri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Duke komentuar deklarimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkimin kombëtar Haradinaj ka thënë se ky projekt është i shekujve, por në etapën në të cilat ndodhen aktualisht Kosova dhe Shqipëria është me rëndësi që të thellohet bashkëpunimi e të hiqen pengesat, duke specifikuar taksën në Rrugën e Kombit.

Çështja e bashkimit kombëtar është projekt i shekujve, por në etapën që ndodhemi mendoj se është me rëndësi që Kosova e Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, të heqin pengesat burokratike e administrative e të tjera, ose të heqim taksën e rrugës. Do të ishte mirë të veprojmë më konkretisht dhe të ndihmojmë lidhjen më të fuqishme ekonomike, të gjithanshme Kosovë – Shqipëri”, tha kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Një ditë më parë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se po krijohen rrethana të reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij./ABC News Albania 24/7