Këto janë kafshët që i ndiejnë tërmetet para se të ndodhin

schedule02:20 - 29 Gusht, 2022

schedule 02:20 - 29 Gusht, 2022

Sjellja e çuditshme e kafshëve është studiuar për gjenerata me radhë, një prej të cilave besohet se është një shqisë e aftë për të parashikuar tërmetet. Janë të shumta rastet e dokumentuara kur kafshët kanë shfaqur sjellje të pazakonta përpara një tërmeti.

Dëshmitë më të hershme ndodhën në Greqi, 373 para Krishtit. Të dhënat flasin për peshq, zogj, zvarranikë e insekte që shfaqnin sjellje të pazakontë disa ditë përpara një tërmeti, duke bërë që shumë të evakuoheshin nga banesat e tyre.

Pikërisht këto ngjarje të pazakonta kanë çuar në më shumë studime që kanë si synim të shpjegojnë këtë mekanizëm të kafshëve para një ngjarjeje sizmike, një mister që edhe sot e kësaj ditë nuk është zgjidhur ende.

Shumë teori kanë dalë nga nevoja për të shpjeguar shkakun e sjelljeve jo normale të kafshëve përpara një tërmeti. Ato besohet se kanë aftësinë që të ndjenjë valët e vogla përpara se të mëdhatë të vijnë.

Një punë kërkimore e publikuar në një revistë shkencore në SHBA, shtroi një teori racionale për lidhjen mes sjelljes së kafshëve dhe aktivitetit sizmik, duke e lidhur atë me sistemin genetik të kafshëve. Përgjithësisht, është në instiktin e kafshës që t’i ikë grabitqarit dhe të mbijetojë. Ndaj është e mundur që përgjigja që kanë, duke u përpjekur për të ikur është e përcaktuar në origjinën e tyre, predispozicioni genetik që ekziston tek kafshët, që e zhvillojnë në mënyrë natyrale.

Pyetja që shtrohet është sesi mund të parashikojnë kafshët shenjat e një tërmeti, ditë apo javë përpara se të ndodhë?

Një tjetër studim nga Instituti i Sjelljes së kafshëve në Gjermani, Max Planck, ngriti një teori të sjelljes, sesi kafshët mund të parashikojnë tërmetet. Një tërmet në Italinë Qendrore në 2016-n, i çoi Martin Wikelski dhe kolegët e tij që ta testonin teorinë e tyre tek kafshët e fermave.

Ata po përpiqeshin që të kuptonin llojet e sjelljes tek kafshët e fermave gjatë pasgoditjes së tërmetit të Tetorit. Dy ditë më vonë, një tjetër tërmet ndodhi, duke i dhënë kështu mundësinë e rrallë grupit të Wikelski-t për t’i studiuar kafshët, para, gjatë dhe pas një tërmeti.

Të dhënat e regjistruara tregojnë se 8 nga 10 tërmetet me magnitudë më të lartë se 4.0 u paralajmëruan nga kafshët. Megjithatë kjo sjellje u observua vetëm kur kafshët ndodheshin në stalla. Sjellja e tyre ishte e ndryshme kur ndodheshin të lirë. Të dhënat treguan se përgjigja e kafshëve është me e ngadaltë kur ndodhen larg epiqendrës.

Ndonëse Wikelski nuk ishte plotësisht i bindur mbi të dhënat që mblodhën përgjatë një periudhe të caktuar kohe, ai vlerësoi se kafshët kanë një mënyrë të veçantë për të ndjerë mjedisin që i rrethon dhe se “shqisa e tyre e gjashtë” mund t’i lejojë që të parashikojnë fatkeqësitë natyrore.

Megjithatë ekspertët besojnë se shpjegimi i sjelljes së kafshëve në raport me aktivitetin sizmik ka nevojë për më shumë punë. Vetë Wikelski pranoi limitet e punës së tij, pasi u fokusua vetëm tek një seri tërmetesh, një fermë dhe një vend të botës.