Eno Mata i shpallur në kërkim nga shteti grek për vrasjen e një avokati

schedule11:00 - 28 Maj, 2019

schedule 11:00 - 28 Maj, 2019

Ende nuk ka një autor të dyshuar për atentatin që ndodhi një ditë më parë në fshatin Poro të Vlorës, ndërsa policia shoqëroi disa persona për t’i marrë në pyetje. Mësohet se Eno Mataj është shpallur në kërkim nga policia greke, pasi dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e një avokati grek dhe ishte pjesë e një grupi kriminal në shtetin fqinj. 

Disa persona u shoqëruan në komisariat nga policia e Vlorës për atentatin që ndodhi në fshatin Poro të Vlorës, ku mbeti i vrarë Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë Eno Mataj. Ky i fundit dyshohet si shënjestra e atentatit. Personat e shoqëruar pasi u morën në pyetje janë lënë të lirë.

I vështirë mbetet edhe identifikimi i autorëve, apo lëvizja e tyre pas ekzekutimit pasi vendi ku u bë atentati është pa kamera sigurie.

I plagosuri Eno Mataj jeton në fshatin Poro prej dy vitesh që pas rikthimit nga shteti fqinj pavarësisht se familjarët e tij ndodhen ende në Greqi. Ai njihej edhe me emrin Aleksandër Mata dhe është akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e një avokati grek në vitin 2017.

Nga policia e shtetin fqinj dyshohej se Mata ishte pjesë e një grupi kriminal dhe ishte shpallur në kërkim, por vijonte të qëndronte në Shqipëri pa probleme. Ndërsa viktima Sotiraq Mëhilli 22 vjeç rezulton pa precedentë penalë.

Ngjarja ndodhi teksa dy të rinjtë lëviznin me një motor. Autorët përdorën një makinë të cilës më pas i vunë flakën në Bishan për të humbur gjurmët.  Brenda saj u gjetën dy armë kallashnikov, ndërsa burimet thane se targat e mjetit ishin të vjedhura.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!